Pse fotoja shumë normale e Billie Eilish tërhoqi vëmendjen e rrjetit?

Billie Eilish, këngëtarja 18-vjeçare, e cila ka thyer rekorde në Çmimet Grammy dhe në të gjitha klasifikimet botërore me projektet e saj, së fundmi po komentohet shumë në rrjet. Arsyeja? Për një foto që i kanë shkrepur paparacët, ku Billie nuk po bën “asgjë”.

Që ta kuptoni më mirë. Eilish u pa në daljen e saj të fundit në publik jo me veshjen “e përhershme”, rrobat e gjëra dhe të rehatshme designer, por e veshur ashtu si ç’do vajzë vishet kur del poshtë shtëpisë për të blerë bukë. Dhe kjo sigurisht bëri çudi, sepse njerëzit nuk janë mësuar ta shohin kështu.

Në fakt ajo që e dallon Billie-n nga të tjerat, është se edhe në këtë rast i ka kombinuar pantallonat e shkurtra dhe kanotieren që ka veshur, me një palë shapka “Yezzy Adidas” dhe çorape “Gucci”. Ndërkohë që si rrallë herë flokët i mban të kapura.

Fotot e kapura nga paparacët kanë bërë që paraqitja e Billie-t të komentohet në rrjetet sociale, ku është folur edhe për format e saj trupore, duke qenë se siç thamë, nuk kemi mundësinë t’i shohim shpesh. Nuk kemi nevojë të themi që disa fansa të saj janë të habitur, disa të tjerë kanë thënë që duket shumë mirë (ku përfshihemi edhe ne), ndërkohë disa të tjerë patën gjëra negative për të thënë, por këto nuk ja vlen as t’i përmendësh.

Si ka reguar Billie në këtë rast? Ka postuar një video në Instagram-in e saj, ku dëgjohet influencerja Chizi Duru të thotë: Njerëzit duhet të fillojnë t’i “normalizojnë” format e vajzave (pritshmëritë që kanë për to). “Jo të gjitha kanë një vagon nga mbrapa, barku është normal, gjoksi mund të varet, sidomos pasi ushqen fëmijët. Instagrami nuk është real”- thotë influencerja ndër të tjera.

Kjo nuk është hera e parë që këngëtarja diskutohet për këtë gjë dhe as hera e parë që ajo reagon. Më parë Elilish ka realizuar një film të shkurtër, që e shfaqte gjatë koncerteve të saj, të titulluar “Not my Responsibility”, ku tregon më shumë për trupin dhe zhvillimin e hershëm që ka pasur, teksa jep një mesazh të rëndësishëm për të gjithë vajzat.

/News31