Policia e quajti terrorist se nuk blinte dot një banane, shpërthen dhuna në funeralin e futbollistit që u vetëdogj

Futbollisti tunizian Nizar Issaoui ka vdekur nga djegiet e marra, pasi u vuri flakën vetes, në një protestë kundër “padrejtësisë së policisë”, tha familja e tij.

Ai ishte shfaqur në një video të postuar në internet ku e tregonte duke bërtitur se ishte akuzuar për terrorizëm nga oficerët pas një mosmarrëveshjeje me një shitës frutash. Issaoui u akuzua pasi u ankua se nuk ishte në gjendje të blinte banane për më pak se 10 dinarë (3,30 dollarë; 2,66 £) kilogrami, dyfishi i çmimit të vendosur nga qeveria, thonë raportet.

Pati përleshje të zemëruara në funeralin e 35-vjeçarit të premten në qytetin e tij të lindjes, Haffouz, raportuan mediat lokale.

Në një postim në Facebook, futbollisti kishte shkruar: “Për një mosmarrëveshje me dikë që shet banane me 10 dinarë, akuzohem për terrorizëm në komisariat. Terrorizëm për një ankesë për banane… Nuk kam më energji.”

Dhuna shpërtheu në funeralin e futbollistit, ndërsa demonstruesit hodhën gurë ndaj policisë që hodhi gaz lotsjellës.

Ai ishte një ish-lojtar për skuadrën tuniziane të ligës së lartë, US Monastir dhe baba i katër fëmijëve.

Vëllai i tij u tha gazetarëve vendas se Issauoi pësoi djegie të shkallës së tretë dhe mjekët nuk ishin në gjendje t’i shpëtonin jetën.

Veprimi i tij ishte një jehonë e një proteste të vitit 2010, kur shitësi ambulant Mohamed Bouazizi u dogj. Kjo nisi një valë demonstratash që çuan në përmbysjen e Presidentit Zine al-Abidine Ben Ali vitin pasues.

Presidenti aktual, Kais Saied, ndezi polemika në vitin 2021 kur shkarkoi kryeministrin dhe pezulloi parlamentin. Që atëherë, ai ka miratuar një kushtetutë të re që garanton dominimin e tij.

Qeveria tuniziane nuk e ka komentuar vdekjen e Issaouit.

Top Albania Radio