“Pa frymë” me Vedat Ademin, 19-vjeçara Ergita Bahja rrëfen prapaskenat e këngës hit të Gent Myftaraj

Nga Klotilda Harka,

Ergita Bahja, është 19-vjeçarja e talentuar, e cila tërhoqi vëmendjen në klipin “Pa frymë”, ku shfaqet në duet me këngëtarin e njohur. Kënga me muzikë të kompozitorit që ajo e konsideron mentorin e saj, Gent Myftaraj po shndërrohet në hit në vetëm pak ditë, ndërkohë që Ergita na rrëfen në këtë intervistë për revista “Story”, se kush zgjodhi kë,në këtë bashkëpunim të goditur. Gjysmë finalistja e “MAM, po ti”, e cila njihet për këngën “Përgjithmonë” në “Kënga magike”, zbulon planet e saj të jetës, që i takojnë vetëm muzikës, edhe pse ndjek studimet për Stomatologji.

“Pa frymë”, titullohet klipi ku shfaqesh në duet me Vedat Ademin. Kush zgjodhi kë?

Kam zgjedhur dhe më kanë zgjedhur njëkohësisht, dhe ky është një artist që unë e vlerësoj jashtëzakonisht për kontributin në estradën shqiptare, dhe një ndër emrat më të spikatur të skenës sonë, Vedat Ademi. Shumë e lumtur për këtë bashkëpunim!

Ergita je rritur nëpër gara, pasi ke nisur të këndosh që në moshën 5- vjeçare. Si ka ndikuar në vetëbesimin tënd rrugëtimi duke garuar gjithmonë me të tjerët?

Në çdo garë jam rritur shumë artistikisht, sepse përballja me këngëtarët e tjerë ishte një sfidë që duhet ta kaloja dhe të më bënte më të ndërgjegjshme sesa punë dhe sakrifica kërkon arti dhe veçanërisht skena.

Duke marrë shkas nga kënga “Përgjithmonë” në “Kënga magjike”, kujt i dedikohet e nga kush je inspiruar?

Kënga “Përgjithmonë” është një krijim i Genti Myftarajt (muzika), dhe Sebastjana Brecanit (teksti), e më mirë këtë pyetje mund t’ua bëja autorëve për një përgjigje më të saktë (qesh).

E që nga gushti je pjesë e labelit “Gmaj 7”. Si nisi ky bashkëpunim?

Të isha pjesë e “Gmaj7” ka qenë një nga ëndrrat e mia që herët. Pas këngës “Përgjithmonë”, Genti Myftaraj pas disa muajsh më propozoi të isha pjesë e “Gmaj7”, dhe unë e pranova me shumë dashuri. Komunikimi midis nesh nuk u shkëput asnjëherë, dhe besoj erdhi natyrshëm.

Çfarë jeni duke krijuar aktualisht, dhe cila është kënga që ka krijuar Gent Myftaraj për zërin tënd?

Tani jemi në studio pothuajse çdo ditë, pasi po punojmë për një album akustik prej 5-7 këngësh. Puna ka filluar dhe kemi arritur pothuajse në mes. Duam t’u japim njerëzve me muzikën e këtij albumi, nota dashurie që secili prej nesh i ka përjetuar dhe i përjeton. Kënga e parë që Genti, ka krijuar për mua është “Përgjithmonë”.

Si është të punosh me kompozitorin e njohur Gent Myftaraj, çfarë vlerëson ai tek zëri yt, dhe ti tek ai si krijues?

Genti ishte ai që nxori te unë emocionin e vërtetë të Ergitës. Rriti brenda meje besimin për të qenë vetvetja. Në talentin tim vlerëson zërin dhe ngjyrën e veçantë që unë kam, (të paktën kështu më ka thënë). Është me pak fjalë Mentori im. Kujdeset për çdo detaj te unë, si në muzikë por edhe për imazhin tim artistik.

Te “Mam, po ti” ke arritur deri në gjysmëfinale. Çfarë kujton nga ajo garë, dhe nga puna me producentin Ardit Gjebrea?

“Mam po ti” ishte skena e parë serioze, dhe që më bëri të kuptoj se sa shumë punë dhe mund kërkon muzika dhe kënga. Prindërit më dhanë një suport të padiskutueshëm, edhe pse arrita deri në gjysmëfinale, eksperienca që unë mora nga ai format ishte e jashtëzakonshme. Arditi ishte kërkues kundrejt nesh, na inkurajonte shumë, kërkonte më të mirën tek unë dhe të gjithë artistët konkurrues. Këshillat e tij nuk do t’i harroj asnjëherë.

Eshtë vetëm fillimi, por si e sheh veten në tregun e egër të muzikës? Çfarë synon të arrish?

Pyetja 1.000.000 dollarëshe. Unë di të këndoj, e këndoj me shpirt sepse ashtu jam rritur nga prindërit e mi, dhe nga ambienti ku jam rritur. Kështu që unë do u jap njerëzve zërin tim, çiltërsinë në notat e mia. Pastaj le t’ia lëmë fatit dhe Zotit në dorë!

Ke një figurë artisti/e që të frymëzon? Kush është këngëtari apo këngëtarja e famshme shqiptare, që të impresionon?

Ajo këngëtare nuk jeton me fatkeqësisht, është Vaçe Zela.

Je vetëm 19 vjeçe, si e projekton veten pas disa vitesh?

Unë studioj për Stomatologji, por nuk e shikoj dot veten akoma stomatologe, pasi pasioni im dhe ëndrra ime është të bëhem këngëtare, dhe të jem përballë publikut profesionalisht.

/www.story.al