Luana e quan veten Kylie Jenner e Shqipërisë

Çfarë ishte kjo që lexova? Më nevojiten detaje.
Luana Vjollca e konsideron veten Kylie Jenner e Shqipërisë, ose së paku kështu iu prezantua Eric Tabach.

Përpara se të kalojmë te Eric, po Kylie Jenner nuk është moderatore. As nuk këndon.

Kalojmë te Eric. Eric Tabach është aktor dhe regjisor amerikan. Më parë, ka prodhuar video për BuzzFeed dhe Kyra Tv, ndërsa së fundmi po vazhdon një karrierë solo si YouTuber dhe ka qëllim të merret me podcast dhe muzikë. Videot e tij në BuzzFeed Motion Pictures kanë grumbulluar më shumë se 200 milionë shikime.

Më bëhet qejfi për Eric-un, po Luana ç’hyn këtu?
Së fundmi, Eric punoi me një seri videosh për YouTube në të cilat komunikon me mesazhe në Instagram me personazhe të njohur nga secili shtet. Në Shqipëri përzgjodhi Luanën.

Po si e bëri përzgjedhjen?
Përdori website-n StarNGage që zotëron të dhëna për llogaritë me më shumë ndjekës për secilin shtet. Të dhënat nuk janë 100% të sakta, por megjithatë kjo nuk e bën Luanën të mos konsiderohet si një nga njerëzit me më shumë ndjekës në Shqipëri (e dyta pas Encës).

E qartë, e çfarë ndodhi?
Eric pa Instagramin e Luanës dhe meqë ndër të tjera moderatorja shkruan se është edhe producente (Shiko kush luan), i shkroi “Let’s produce” (Le të prodhojmë [diçka]”. Luana iu përgjigj me “Si?”.

Po Kylie ku hyn këtu?
Prisni. Në thumbnail (fotoja që duket përpara se të klikohet videoja) Eric ka vendosur bisedën: “Kush je ti?” I shkruan ai Luanës, ndërsa ajo i prezantohet si “Kylie Jenner e Shqipërisë”.

Po pastaj?
Pastaj nuk e dimë. Duhet të presim episodin e radhës. Kjo ishte vetëm pjesa e parë.

Më more gjithë këtë kohë për të më thënë kaq pakogjë?
Po, tani mund të shkoni. Rilexohemi pas videos së dytë të Eric. Mos bëni sikur nuk do të vini sërish.