Ky është emri i vërtetë i 39-vjeçarit të ekzekutuar në Tiranë

Abc ka arritur të zbardhë detaje të reja lidhur me emrin e vërtetë të 39-vjeçarit të ekzekutuar mbrëmjen e së dielës tek “kodrat e Diellit” në Tiranë.

Në media u raportua se mbrëmjen e djeshme është ekzekutuar me armë zjarri 39-vjeçari Briken Sanaj. Ndërkohë që abc ka mësuar se emri i vërtetë i viktimës është Skerdi Sanaj.

39-vjeçari i cili kishte disa vite që jetonte në Itali, ishte kthyer para pak ditësh në Shqipëri për të marrë pjesë në dasmën e shokut të tij në Lezhë.

Sanaj është qëlluar nga afër me kallashnikov nga dy persona, duke marrë plagë në fytyrë dhe në trup.

Menjëherë pas ngjarjes autorët janë larguar me një automjet tip “Benz”, i cili është gjetur i djegur pak minuta më pas në zonën e Qafë Kasharit.

Targat e automjetit rezultonin të vjedhura dy ditë më parë në Tiranë.

Ndërkohë një tjetër pistë që po heton policia është ajo e hakmarrjes, pasi vëllai i 39-vjeçarit kishte plagosur me armë një person në Ishull Lezhë në vitin 2012-të.

Ndërkohë burime për Abc konfirmojnë se viktima nuk ka precedentë të mëparshëm penalë as në Shqipëri dhe as në Itali ku jetonte prej disa vitesh.

Njoftimi i policisë:

Më datë 30.10.2022, te Kodra e Diellit, në rrethana ende të paqarta, është qëlluar me armë zjarri shtetasi B. S., rreth 39 vjeç, i cili ka ndërruar jetë rrugës për në spital.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë krehjen e zonës për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Janë shoqëruar disa persona në Polici.

Në Qafë Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe për fiksimin e çdo prove të vlefshme që mund të çojë në identifikimin e autorëve.

/Abcnews.al/