Kapi vogëlushen që po binte nga kati i pestë, 37-vjeçari: E mbajta në gjoks, goditja më mori frymën

“Të shtunën bëra radiografi në urgjencë, kam marrë një goditje, por gjithçka shkoi mirë.” Këto janë fjalët e para të Mattia Aguzzi-t, 37-vjeçarit që mëngjesin e së shtunës arriti të shpëtojë një vajzë të vogël teksa binte nga kati i pestë i një pallati në via Nizza, në Torino.

Teksa fliste për një emision mëngjesi, 37-vjeçari tregon sesi e gjeti veten duke i shpëtuar jetën 3-vjeçares.

“Po shkoja me të dashurën time Gloria për të marrë bukë, në rrugë dëgjuam britmat: U ktheva dhe në anën tjetër të rrugës ishte një djalë që bërtiste. Ai i kërkonte vajzës që të mos lëvizte, pastaj u kthye nga ne duke na thënë se vajza ishte gati të rrëzohej. Ishte një çështje sekondash: Unë thjesht shpresoja të ndiqja trajektoren dhe të zbutja kontaktin me tokën, pasi kapja nga ajo lartësi ishte e pamundur”.

Megjithatë Aguzzi arriti që ta kapte vogëlushen.

“Në mënyrë të pabesueshme, ia dola, shtoi, nuk e dija që e kisha këtë aftësi për ta gjykuar situatën siç duhej. E mbajta në gjoks dhe menjëherë të dy ramë në tokë. Goditja ishte mjaft e fortë, po flasim për një fluturim 15-18 metra: goditja më mori frymën”.

Pas disa sekondash tmerri, 37-vjeçari thotë se u bë i vetëdijshëm që kishte shpëtuar një jetë.

“Vajza e vogël fillimisht nuk pati asnjë reagim, kisha frikë për më të keqen. Pas disa sekondash e dëgjuam duke qarë dhe kuptuam që më e keqja kishte kaluar.”

Vajza e vogël është shtruar tashmë në spital për vëzhgim në departamentin e kirurgjisë pediatrike të spitalit Regina Margherita në Torino.

Ajo nuk ka lëndime të dukshme dhe është në gjendje të mirë. Nëse nuk ndodh asgjë e papritur, vajza do të nxirret nga spitali në orët e ardhshme.