INTERVISTA/ Njëri më i vuajtur se tjetri, Art Abazi & Mc Kresha rrëfejnë hallin e njëjtë që u ka rënë

Dy shokë në klip dhe në jetë që udhëtojnë në një makinë modeste, dhe në arratisjen emocionuese i këndojnë dashurisë me fjalë të shtrenjta. Për Art Abazin dhe Mc Kreshën, “Enigmë” është këngë shpirti, e si e tillë nuk ka të paguar. Për miqësinë jashtë muzikës, hallin e njëjtë që u ka rënë, të dashurën plot sharm në klipin e tij dhe si sillen vajzat kur takohen me dy artistë të vërtetë, Art Abazi i rrëfen ekskluzivisht në këtë intervistë për kopertinën e revistës “Story”.

“Enigmë” titullohet kënga e re me të cilën keni prekur zemrat e të gjithëve. Si u bëtë bashkë me Mc Kreshën në këtë bashkëpunim kaq të bukur?
Shumë lehtë. Ndërsa po e dëgjoja këngën me vëmendje, në një moment i thashë vetes se kësaj kënge pajetër i duhet një repturë fantastike, dhe si sinonim i kësaj repture kush mund të ishte tjetër përveç Mc. Kreshës, me të cilin njihemi prej kohësh dhe gëzon respekt të veçantë te unë, dhe jo vetëm!

Mc-1

Duke u nisur nga skenari i klipit, ku dy shokë i këndojnë dashurisë së humbur ndërsa udhëtojnë në të njëjtën makinë. Kush nga ju e ka përjetuar vërtet në jetë një histori të vërtetë dashurie?
Do të isha befasuar po të mos më bëhej kjo pyetje! (Qesh) Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në klip. Ç’është e vërteta, klipit nuk i kemi kushtuar aq rëndësi sa këngës. Thjesht jemi munduar t’i paraqesim dy shokë, të cilët po takohen dhe qajnë të njëjtin hall. Unë si tip preferoj gjërat që s’janë shumë të definuara. Natyrshëm më zgjojnë më shumë kureshtje, nuk e di… Kujtoj se më duket se e pata përmendur tek ju gjatë një interviste faktin e mungesës së fabulave në produksionet e klipeve tona, në përgjithësi. Nuk e di nëse është mungesë kreativiteti apo çështje kostoje financiare. Tek klipi ynë, ka pasur hapësirë të madhe për të zhvilluar lloj-lloj fabule brenda tij, por edhe kështu siç është jemi super të kënaqur.

Kush është vajza enigmatike që luan në klip, dhe pse zgjodhët pikërisht atë?
Vajza në klip është e dashura ime, të cilën po e dua akoma më shumë, sepse klipi nuk do të ishte i njëjti pa sharmin dhe elegancën e saj.

Klipi juaj u publikua kur sapo kishte filluar gara e festivalit “Kënga Magjike”. Lind pyetja pse nuk morët pjesë me një këngë të tillë në festival?
Kënga erdhi në jetë shumë spontanisht, dhe u publikua pa asnjë motivacion garues. Por kjo s’do të thotë që të ardhmen e afërt do e përjetoj magjinë e atij festivali.

Keni shkruar secili vargjet e veta. Kush është romantiku dhe kush zemërthyesi, ti apo Mc Kresha?
Nuk e di kush ç’ka është më pak e më shumë, por di se teksti i Mc.Kreshës në repturën e tij vërteton faktin që ai është artist i një niveli tjetër, dhe se mënyra se si ai i qaset dashurisë është unike.

Mc-2

Atëherë kush nga ju të dy ka më shumë sukses me femrat?
Hmmm! Siç e patë edhe në klip, secili më i vuajtur se tjetri. (qesh)

Si është pritur kënga deri tani?
Nga dashuria që kemi marrë deri tani nga publiku përmes videove të dërguara me këngën në sfond, fotove, mesazheve (po flas për veten, sepse Kresha ka përvojë dukshëm më të madhe). E kam kuptuar që publiku realisht ka patur dhe ka nevojë t’i serviret një freski në muzikë, dhe këtë besoj që ua kemi servirur tani.

Po me klikimet a jeni të surprizuar, dhe a përkthehen ato në para?
Sa u përket klikimeve dhe gjërave të tjera, unë mund t’ju them se po të ishim artistë që gjithçka që bëjnë, e bëjnë për ta monetizuar, më besoni që si rezultat nuk do të dilte një këngë e tillë… Në këtë moment po më vjen në mend një mesazh i një vajze, e cila më tha: Ju lumtë! Makina të shtrenjta ne klip, jo! Goca të zhveshura jo, tekst banal, jo! Thjesht, gjithçka e mrekullueshme! Kështuqë, kjo përmbushje vlen më shumë se gjithçka tjetër.

Të mos dish asgjë për të dashurën e zemrës dhe të jetosh me shpresën se mund të rikthehet është një torturë e vërtetë. E ke zbuluar terapinë për të shëruar veten?
Unë jam çdo ditë i dashuruar. Marr dhe jap dashni në çdo moment. Terapi më të mirë se kjo s’ka dhe s’do të ketë… Ju si jeni? Si e përjetuat tërmetin e fundit? Gëzohem që kaloi lehtësisht!

Mc-3

Pas këtij suksesi do të thotë që tani ftesat për koncerte do i merrni të dy me Kreshën?
Ajo që di unë është fakti se kemi sjellë një këngë të bukur, emocionuese, një këngë që s’do harrohet brenda javës. Për të tjerat nuk mund të flas!

Në një intervistë je shprehur se tashmë do të hysh intensivisht në tregun e muzikës me këngë të reja. Cili do të jetë bashkëpunimi i radhës, dhe ke menduar një duet me vëllain tënd, Dren Abazin?
Dreni gjithmonë do të jetë një opsion serioz, por akoma s’i ka plotësuar kushtet të vijë në bashkëpunim me Art Abazin. (Qesh) Ndërsa sa i përket karrierës sime, lirshëm mund të them që përvoja me Mc Kreshën dhe djemtë nga grupi PINT, më kanë inspiruar tej mase që muzika ta ketë gjithë vëmendjen time.

Ju ka ndodhur ndonjëherë të pëlqeni të njëjtën vajzë ti dhe shoku yt?
Po! Por ajo vetëm ishte e martuar, kështu që u patëm kthyer në shtëpi me zemër të thyer.

Nëse ndodheni në një takim me fansat, vajzat do të turren pas teje apo pas Mc Kreshës?
(Qesh) Na ndodhi pak javë më parë. Ishim duke ecur të dy ndërkohë që përreth Kreshës ishin mbledhur 10 vajza simpatike, të cilat po prisnin për të bërë foto me të. Në një moment njërës prej tyre i erdhi keq për mua dhe nxori telefonin për të bërë një foto./Story.al