Interneti është fantastik, por…

Vetëm gjatë vitit 2021 janë raportuar 2886 faqe online me përmbajtje të dëmshme për fëmijët. Nëse nuk tërheq vëmendje ky fakt, do të thotë që edhe më shumë fëmijë do të preken në vazhdim nga keqpërdorimi i internetit.

Sot, është dita e Internetit të Sigurt dhe për One Telecommunications, kjo ditë vlen si një rikujtesë e përpjekjeve për edukim mbi përdorimin e sigurt të internetit. Nga raportimet e vitit të shkuar, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve, AMA dhe Policia e Shtetit, rezulton se janë prekur 450 fëmijë nga abuzimet në internet. Abuzimet janë: ekspozim ndaj materialeve ku fëmijët abuzohen seksualisht, bullizëm, shfrytëzim, vjedhje të dhënash, etj.

“Të dhënat nga Platforma ISIGURT.AL tregojnë se sa të ekspozuar janë fëmijët dhe adoleshentët nga abuzimi seksual në internet dhe se sa pak të informuar janë prindërit për mbrojtjen e fëmijëve të tyre nga pedofilët dhe grabitqarët seksualë! Kam nje thirrje për të gjithë prindërit: Çohuni nga “gjumi” i internetit të sigurt! Rreziqet janë reale dhe ato mund të dëmtojnë çdo fëmijë!” – u shpreh Altin Hazizaj, Drejtuesi i CRCA (Child Rights Center Albania).

ALO 116 është prej vitesh një prej kanaleve kryesore që CRCA ka vënë në dispozicion për raportimin e abuzimeve kibernetike dhe këto raste ndiqen me institucionet përkatëse, për të gjetur zgjidhje. Mosha më e prekur nga abuzimet është 15-17 vjeç dhe mbi 60% e viktimave janë vajza. Megjithatë, ata që raportojnë më shumë incidente përmes këtij kanali, janë djem. Për të nxitur raportimin drejt kësaj linje, numrat ONE që telefonojnë ALO 116, nuk tarifohen.

Teknologjia është një mjet që ka transformuar realitetin botëror, mënyrën si jetohet dhe si mendohet. Ka rritur ndjeshëm numrin e kontakteve të përditshme, ka përmirësuar marrëdhëniet, ka bërë të mundur punën në distancë, si edhe ka shumëfishuar burimet nga ku merret informacioni. Teknologjia është një mjet. Qëllimet për të cilat përdoret, ndryshojnë rrënjësisht pasojat te jetët e njerëzve.

Vit pas viti, One Telecommunications angazhohet si partner në aktivitete që kontribuojnë në përdorimin e sigurt të internetit si edhe në fushata sensibilizuese, për të trumbetuar lundrimin e shëndetshëm në internet. Gjithashtu, si kompani e ofrimit të internetit, ONE ndjek ligjërisht gjithë raportimet të faqeve abuzive, që vijnë nga abonentët.