Eva Alikaj: “Timo Flloko ishte shume i zjarrtë në puthje. Me Agim Qirjaqin kemi cekur buzët”

Ajo ishte në moshë fare të re, teksa bënte hapat e parë drejt skenës së Teatrit Kombëtar. Ndërsa dridhej nga emocionet, drejt saj me një thjeshtësi të pashoq afrohej jo më pak se i ashtuquajturi “babai” i teatrit shqiptar, Piro Mani. “Mirë se vjen Eva Alikaj”, – i thotë ai, dhe këto fjalë asaj i ngrohin menjëherë zemrën.

Aktorja e rrëfen momentin dhe rrugëtimin e saj artistik deri në ditët e sotme, mes kinemasë e teatrit, një intervistë të pazakontë me regjisorin Hervin Çuli, ku prekin dhe aspekte personale të jetës. Nuk bëhet fjalë për një intervistë pune, ndaj dhe Çulin e shohim gati jashtë “petkave” të drejtorit të Teatrit Kombëtar, ndonëse Alikaj nuk ua përton ankesave për role të papërshtatshme gjatë kohëve të fundit.

Rrëfimi i Alikajt vjen në kuadër të intervistave që shpalosin “Anatominë e një aktori në karantinë”, pasi, edhe përsa i përket teatrit, “The show must go on” (“Shfaqja duhet të vazhdojë”).

Në këtë bisedë të realizuar ‘live’ në faqen e Teatrit Kombëtar në “Facebook”, Alikaj, krahas batutave të “Pallatit 176” me të cilin u bë më gjerësisht e njohur, tregon momentet e sikletshme në skenë, ato më të lumturat, puthjet artistike e deri te pritshmëritë për të ardhmen. Këtë periudhë po e kalon në Austri, ku jeton prej vitesh mes filmave, librave e shëtitjeve në “kryeqytetin e zbrazur”.

A e kujtoni se në cilin kopsht keni qenë?

Kujtoj se kam qenë në një kopsht që gjendej pranë ish Lidhjes së Shkrimtarëve, afër xhamisë që të çon te rruga “21 Dhjetori”. Ishte me dy kate, me ballkon dhe brenda kishte shumë kukulla.

Keni pasur shokë dhe shoqe në kopsht?

Kujtoj një djalë me flokë të kuqe të dendura, që mund të them se ka qenë shoku im i parë. Mua në atë kohë më pëlqenin gocat dhe çunat me shumë flokë, se unë vetë flokët i kisha shumë të rralla. Madje, mbaj mend se mamaja më lidhte një fjongo për të më mbuluar veshët.

Cila ka qenë dëshira e mamit dhe e babit lidhur me profesionin tuaj, kur keni qenë e vogël?

Ata nuk kanë pasur asnjë pretendim. Gjithçka që ndieja, unë vetë e projektoja në të ardhmen, aq sa mundet të bëjë një fëmijë. Prindërit le të themi se “nuk janë përzier” fare.

Kur u shfaqën te ju grimcat e para të talentit si aktore?

Mendoj se ka ndodhur që në fëmijërinë e hershme. Unë improvizoja me kukulla, perdet e shtëpisë. Shikoja filmat e atëhershëm me ato damat e bukura të dashuruara dhe bëja t’i imitoja. Si flokë vendosja një golf, nga ata që përdoreshin në atë kohë. Mandej, me pjesët e krahëve dhe të trupit bëja gërshet. Mbaj mend se mamaja ishte e tmerruar, ndërsa unë i thosha: Shiko sa bukur dukem! Ndihesha e zhgënjyer se si ajo nuk e kuptonte se nuk isha me të vërtetë një yll në atë moment.

Në cilin gjimnaz keni studiuar dhe a kujtoni ndonjë shok apo shoqe prej asaj periudhe?

Kam studiuar në gjimnazin “Partizani”. Aty kam pasur një shoqe të ngushtë, që quhej Lindita Mino. Ishim kaq të afërta me njëra-tjetrën, saqë na kishin vendosur nofkën “Abba”, kjo edhe për faktin se ajo ishte bionde, ndërsa unë brune. Nga të dyja, unë isha më tepër protagoniste për të lënë mësimin dhe e nxisja edhe atë. Ndërsa ajo ishte disi më e urtë. Ishim aq shumë shoqe dhe e doja aq fort, saqë edhe kur shkonim në plazh me prindërit, e merrja me vete. Deri në maturë, mbanim vetëm një çantë me radhë se përtonim. Ndonjëherë unë edhe kopjoja, se ajo ishte më e zonja në matematikë, ndërsa në lëndët e tjera isha mirë.

Keni luajtur teatër që në gjimnaz?

Po, kam marrë pjesë në dy shfaqje. Njërën me trupën e Durrësit, ndërsa tjetra ka qenë “Familja e peshkatarit”, ku unë kam qenë në rolin e Mirës.

Keni pasur të dashur në gjimnaz?

E kam harruar…

Keni motra apo vëllezër?