Elvin Guri, histori suksesi – mësime mbi sipërmarrjen

Vit pas viti lulëzojnë shumë biznese të reja, shumë prej tyre mbyllen, vetëm disa i rezistojnë tregut dhe konkurrenca vijon pambarimisht. Të gjithë ata që dëshirojnë të nisin një biznes të suksesshëm, janë në kërkim të vazhdueshëm për idenë gjeniale e cila do u garantojë suksesin. Sipas raportit të Drejtorisë së Tatim-Taksave, për vitin 2021 janë hapur 4787 biznese të reja dhe janë mbyllur 1661.

Startup Grind Tirana, një komunitet global sipërmarrësish, zhvillon takime periodike mes komunitetit dhe sipërmarrësve të suksesshëm. Pjesëmarrës në panel gjatë takimit të fundit ishte Elvin Guri, një investitor me përvojë 26-vjeçare në tregjet rajonale dhe i njohur në Shqipëri për blerjen e operatorit One Telecommunications.

“Momenti më i rëndësishëm në jetë është të njohësh veten dhe të ndash mendjen për aftësitë që ke” – ishte një prej këshillave që Elvini ndau gjatë rrëfimit të përvojave të tij personale.

Me të tilla mesazhe të vlefshme ishte e mbushur biseda me Elvinin. Nëse je aspirant për të zhvilluar një ide biznesi dhe nuk ishe prezent në këtë takim, mund të gjesh këshilla të vlefshme përgjatë këtij leximi.

Aneida Bajraktari, moderatoja e takimit dhe drejtuesja e Startup Grind Tirana, arriti të merrte prej tij historitë e suksesit, por edhe të dështimit, mësimet që ai ka nxjerrë prej përvojës së tij dhe udhëzime për të ndërmarrë hapa të matur në jetë.

“Aftësitë sipërmarrëse mësohen, nuk është e thënë të jesh i lindur sipërmarrës” – u shpreh Elvini, duke thyer mitin se sipërmarrësit e suksesshëm janë të lindur. Përgjatë mentorimeve që Elvini zhvillon, ajo që thekson vazhdimisht është se “nuk ka nevojë as të jesh gjeni për të pasur një biznes të suksesshëm, mjafton të jesh i zgjuar mjaftueshëm për të përshtatur një ide funksionale biznesi, që e ke parë diku, dhe ta adaptosh në mjedisin tënd”. Kjo qasje ka qenë ajo që i ka garantuar Elvinit suksesin e tij të parë, një kompani që e nisi me 4 persona dhe pas 6 vitesh e shiti me 2,800 punonjës që i shërbenin 23% të popullsisë madhore në Bullgari. E çfarë ishte kjo ide fantastike? Ofrimi i kredive konsumatore për qytetarët e Bullgarisë. E parë dhe e provuar në perëndim. Tashmë shumë familjare edhe per ne, por në kohën që ai e ofroi në Bullgari, ende nuk kishte mbërritur si shërbim.

Në këto momente do jesh duke vrarë mendjen çfarë ka ndonjë gjë që i mungon Shqipërisë dhe që mund ta ofrosh ti, duke menduar se e gjete çelësin e suksesin. Por, nuk mjafton vetëm kaq. Je ende disa këshilla larg për të kuptuar çfarë nevojitet për të qenë i suksesshëm.

Kur Elvini foli për njohjen e vetes, ai i vuri theksin edhe përcaktimit të vlerave personale, kufijtë përtej të cilave ti si individ nuk ndihesh komod me veten që të dalësh. “Pasi i përcakton këta kufij, mos i shkel më. Mund të shkosh në kufi të tyre, të manovrosh brenda tyre, por mos shkel vlerat që i ke përcaktuar vetes”.

Një tjetër element thelbësor suksesi që Elvini përmendi janë njerëzit! “Ne punësojmë njerëzit, njerëz të mirë, që ndajnë të njëjtat vlera me ne, të miredukuar. Këto janë tipare që dikush ose i ka mësuar deri 7 vjeç, ose nuk i ka më. Ndërsa aftësitë profesionale mësohen”. Në këtë kuadër, për rritjen e qëndrueshme të operatorit One Telecommunications dhe trendin e suksesit që ka, ai ia njeh meritat stafit. “Ne investuam në One Telecommunications sepse e kuptuam që kishte nevojë vetëm për ristrukturim, por kjo nuk do ishte e mundur pa 400 persona staf të ONE dhe mbi 450 të tjerë pjesë e rrjetit të partnerëve. Ndaj, investimi në atë kompani është një prej përvojave më të bukura në këto 26 vite.”

Pyetjes së Aneidës, se si mund të rritet një biznes, Elvini iu përgjigj se “nuk ka një recetë. Cilësia e bizneseve kushtëzohet nga tregu në të cilin operojnë. Shqipëria është treg i vogël dhe që bizneset të tërheqin investime, duhet të sigurohen që të kenë fitim. Pa pasur fitim, investitorët këtu nuk afrohen sepse tregu është i tillë që nuk mbijeton dot në humbje.” Gjithashtu, Elvini theksoi shumë fort se për të pasur një biznes të suksesshëm ka të bëjë shumë edhe mosha se kur investon.Duhet patjetër të kesh kaluar disa gjëra në jetë, të kesh edukatën e punës dhe të kesh pjekurinë e duhur për të filluar një biznes. Pra, kur je tek të 20-tat, ka më pak gjasa të nisësh një biznes me sukses afatgjatë.”

Dhe së fundmi, Elvini u shpreh për atë që flitet shumë në këtë botë konkuruese, për shkrirjen mes jetës private dhe punës. Teksa ne flasim për balancë dhe përpiqemi të vendosim kufij për të arritur këtë balancë, Elvini thotë se në fakt nuk ekziston një balancë e tillë. “Koha punë-jetë private është një e vetme. Ti vendos se ku do fokusohesh më shumë në momente të ndryshme të jetës. Varet nga stadi që je në jetë dhe nga çfarë do të arrish. Në këtë fazë të jetës sime, ajo që më bën të lumtur përherë e më shumë, është familja dhe fëmijët. Por gjetja e balancës është një proces i përditshëm.”