Chiara Ferragni reagon ashpër pas vaksinimit të gjyshes së Fedez: Po të tjerët që nuk kanë dikë që të dëgjohet në media, si do ia bëjnë?

Chiara Ferragni kritikoi ashpër menaxhimin e fushatës së vaksinimit ndaj Covid-19 në Itali, përmes një postimi në Instagram, duke filluar nga një fakt që e shqetësoi shumë atë.

Sipërmarrësja dhe influencuesja e famshme ka publikuar një postim në të cilin shpjegoi se gjyshja e burrit të saj Fedez, Luciana Violini, e cila mbushi 90 vjeç disa ditë më parë, do të bënte vaksinën kundër Covid dje.

Dhe siç raportohet nga Ferragni, telefonata për të marrë dozën erdhi vetëm dje, pasi ajo kishte kritikuar menaxhimin dhe vonesat e fushatës në mediat sociale.

Nëse dje isha e zemëruar, sot jam edhe më shumë e zemëruar duke menduar se gjyshe Luciana, e cila kishte të drejtë të vaksinohej para shumë muajsh, arrin të fitojë të drejtën e saj vetëm sepse dikush ka frikë se unë mund të trazoj opinionin publik.

Po gjyshërit e tjerë që kanë të njëjtën të drejtë dhe nuk kanë dikë që të dëgjohet në media, si do ia bëjnë?”, – shkruante Ferragni, duke theksuar se ka menduar për një kohë të gjatë para se të thotë diçka javët e fundit, por që vendosi të flasë vetëm pas episodit të “favorizimit” të padrejtë të gjyshes Luciana.

Ajo u referohet qindra njerëzve që vdesin çdo ditë prej Covid, njerëzve që kanë mbetur pa punë, fëmijëve që bëjnë mësimin në shtëpi dhe të gjithë atyre që kanë humbur një njeri të dashur, duke fajësuar gabimet e atyre që duhet të kujdesen për të gjithë ne.

Ne duam të vaksinojmë të dashurit tanë sa më parë të jetë e mundur dhe të ndalojmë të kemi frikë se midis atyre 500 vdekjeve në ditë, mund të jenë edhe të dashurit tanë”, – shkruante ajo.

Pastaj Ferragni i drejtohet drejtpërdrejt kryeministrit Mario Draghi, të cilin ajo e përcakton si një person që e vlerëson, dhe të gjithë politikanëve, ministrave dhe parlamentarëve të vendit, për të përveshur mëngët në këtë situatë komplekse, sepse njerëzit janë të lodhur nga fjalët boshe.