Blendi Fevziu rrëfen momentin më të vështirë të jetës: “Një ditë pasi varrosa mamanë humba njeriun tjetër të shtrenjtë”

Ai është një nga gazetarët më të mirë në vendin tonë, me një karrierë të gjatë në shtypin e shkruar dhe në televizion. Por, pavarësisht se është një prej figurave më të njohura të medias pak gjëra dimë për jetën private të Blendi Fevziut. Moderatori, i cili prej afro 25 vitesh drejton emisionin e suksesshëm “Opinion” mban një profil modest lidhur me publikimin e detajeve për jetën e tij familjare, edhe pse për të është folur e vazhdon të flitet gjatë.

Së fundmi ai ka qenë i ftuar në emisionin “Rudina” ku ka treguar momentet më të vështira gjatë punës, ku ndër të tjera ka treguar se pavarësisht momenteve apo humbjeve të mëdha, një gazetar i mirë duhet të jetë në televizion. Për të, një ndër momentet më të vështira ka qenë kur ka varrosur nënën. Ndërkohë, një ditë më vonë ka ndërruar jetë dhe daja i nënës, njeriu që siç u shpreh, e kishte rritur pasi jetonte bashkë me ta.

“Momenti më i vështirë, më duket se e kam thënë diku, nuk jam shumë i sigurt, ka qenë një moment, kur ime më ndërroi jetë në Boston në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. U deshën 6-7 ditë që të vinte trupi i saj.

Ne shkuam bëmë varrimin, të pasnesërmen duhet të nisesha për në Kosovë sepse kisha lënë një intervistë shumë të rëndësishme me Hashim Thaçin që në atë kohë u akuzua nga Dick Marty për këtë gjë që po gjykohet sot. Kisha lënë një intervistë me të, ndërkohë që 4 ditë kisha futur emisione të regjistruara sepse duhet të rrija në shtëpi të prisja njerëz.

Atë ditë kur po bëhesha gati të nisesha më thanë që daja i mamit, njeriu që më kishte rritur, që rrinte në shtëpi po me ne aty, kishte ndërruar jetë dhe ai. Ishte një dilemë e tmerrshme sepse ndërkohë u detyrova të mbaroj të gjitha gjërat, mora në telefon, thashë nëse mund të më vini një eskortë policie në pjesën e Kosovës se rruga jonë ishte bërë ndërkohë, mund të shkoje. Ata më vunë në fakt një eskortë dhe unë kam arritur 4 minuta para emisionit, por imagjino se si mund të shkojë njeriu në emision kur një ditë para ka varrosur nënën, një ditë tjetër njeriun më të afërt, megjithatë ndonjëherë ti e kupton që raporti me detyrën është i tillë që ti nuk mund të shkosh.”-tregoi ai.