Big Mama rrëfen periudhën e vështirë, çfarë i ndodhi mamasë së saj para se të humbte babain

Big Mama është një nga këngëtaret më të njohura shqiptare, e cila prej disa ditësh është izoluar në shtëpi me të ëmën.

Vitin e kaluar, Big Mama humbi babain e saj. Në një lidhje me emisionin “Rudina”, ajo ka treguar se viti që lamë pas ishte katastrofik për të, pasi para se të humbiste të atin në nëntor, mamaja i pësoi një sulm në tru dhe u paralizua në anën e djathtë.

“Të them të drejtën unë shumë pak kohë kam patur për të kaluar me prindërit, veçanërisht me babin. Unë profesionin si këngëtare e kam duke udhëtuar dhe kam patur mall për prindërit. Tani që jam në karantinë bashkë me nënën time dhe mendoj dhe them sikur të ishte dhe disa muaj babi gjallë dhe të kalonim dhe ca kohë bashkë. Shëndeti është një gjë shumë e rëndësishme dhe tani në këtë kohë e kuptojmë, pasi humba dhe babin tim madje të them të drejtën unë kam patur një vit katastrofik sepse para babait, unë kisha mamin, e cila kishte një sëmundje e cila më shokoi më shumë, se sëmundja ose vdekja e babit. Mamaja ime kishte sulm në tru dhe u paralizua ana e djathtë, ka qenë jo funksionale, jam marrë me mamin shumë në spitale të ndryshme.

Aty e kam kuptuar se s’ka me shëndetin, sot je shumë mirë, je me këmbët e tua je shumë e fortë, shumë e fuqishme dhe për një moment mund të biesh përtokë dhe të mos mund as të flasësh, as të lëvizësh, pas asaj pata dhe rastin e babit dhe tani edhe kjo puna e virusit. Të gjithë jemi me një eufori punë, lekë, vrapo andej, vrapo këndej, të arijmë qejfe, çfarë të veshim, luksin, por qejfi më i madh duhet të kuptojmë se është shëndeti”, ka treguar Bigu.