Arrestohet në Greqi i shumëkërkuari Laert Haxhiu

Laert Haxhiu, një nga të shumëkërkuarit e Policisë Shqiptare, është arrestuar në qytetin e Janinës në Greqi.

32-vjeçari është i dënuar në vendin tonë me 18 vjet burgim. Policia e Shtetit ka njoftuar zyrtarisht se arrestimi i Laert Haxhiut është bërë me qëllim ekstradimin në Shqipëri.

Ai u vu në pranga gjatë operacionit “Eksponenti” pas shkëmbimit të informacionit mes strukturave të Policisë së Shtetit, Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës.

32-vjeçari Haxhiu nga Lushnja u kap në Janinë me leje qëndrimi greke të falsifikuar me identitetin Mikis Askalidis32 vjeç lindur në Gjeorgji.

Laert Haxhiu është dënuar me 18 vite burgim nga gjykata në vitin 2017 për masakrën e Lushnjes ku mbetën të vrarë 2 Jurgen Hoxha dhe Zamir Latifi dhe u plagosën 2 të tjerë. Ai akuzohet për veprat penale vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. I dënuar për këtë ngjarje është edhe shoku i tij, Orges Bilbili, i arrestuar në vitin 2020.

Laert Haxhiu njihet si rival i bandës së Aldo Bares. Në vitin 2016, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, në atë kohë 21 vjeç, u plagos me armë zjarri së bashku me një shokun e tij. Ishte Laert Haxhiu ai që qëlloi me armë Xhulio Shkurtin, por që në atë periudhë u pretendua se plagosja ndodhi pas një sherri të çastit. /tvklan.al