Arjan Çuri tregon kur është aplikuar për herë të parë në histori karantina, flet për murtajën e Justinianit

Arjan Çuri ka folur sot në emisionin “Zonë e Lirë” për epideminë e tretë që ka goditur njerëzimin, e quajtur murtaja e Justinianit, perandor i Bizantit. Kjo murtajë ka goditur në shekullin e 6-të pas Krishtit.
“Në mënyrë të çuditshme filluan dhe vdisnin njerëz. Këta njerëz kishin shenja të ngjashme me ato të koronavirusit sot, e kuptuan të gjithë që ishin para pandemisë së murtajës. Studiuesi kryesor është Prokopi i Cezaresë. Ai ishte në oborrin e Justinianit dhe ka shkruar tre libra.
Në njërën nga librat, ai shkruan se Kostandinopoja për t’u ushqyer ishte e varur nga importi i grurit dhe e merrte grurin nga Egjipti. Është besuar deri vonë që murtajën e përcillnin minjtë. Shumë vonë është mësuar nga ana shkencore, që jo minjtë, por pleshtat që kishin minjtë, e përmbanin murtajën. Kjo murtajë është e para që shkencëtarët e dinë se cili patogjen e kanë shkaktuar murtajën.
Yersinia pestis është patogjeni që ka shkaktuar këtë murtajë. Filluan të vdisnin nga 10 mijë njerëz në ditë, flitet të ketë vrarë miliona në të gjithë botën. Epidemiologët kanë gjetur varre masive në Kostandinopojë dhe në vende të tjera, ku kanë mundur të lokalizojnë patogjenin nga dhëmbët e viktimave të murtajës. Bëjnë lidhjen me murtajën e Justinianit dhe me murtajën e zezë që kthehet pas shekujsh. Studiuesit besojnë se kjo murtajë e ka origjinën nga Kina. Së dyti, Justiniani bëhet i suksesshëm në përballimin e kësaj epidemie. Sëmuret, por nuk vdes.
Ka një guvernator që e bën kryetar të kësaj pune, nuk i shtyn taksat. Bën atë reformë që kur shfaroset një familje e tërë dhe nuk kishin trashëgimtar, e merr shteti pasurinë. Justiniani harxhoi mijëra monedha floriri ta shtypte pandeminë me para. Nga ana mjekësore, u përdor pluhur shenjtorësh. Mjekët kishin vetëm metodën e Claudius Galenus, mjeku i murtajës së Romës. Njerëzit i fusnin ose në maskë të ftohtë, ose i fusnin në karantinë, për herë të parë është aplikuar karantina në shekullin e 6-të.
Studiuesit thonë se pas 200 vjetësh u zhduk. E vetmja arsye e zhdukjes është se njerëzit zhvillojnë imunitet”, është shprehur Arjan Çuri.