Afër shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar

Ministrja e Turizmit në bashkëpunim me organizatën amerikane, Patagonia ka njoftuar se tashmë zyrtarisht ka nisur puna në nivel teknik për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

Në një deklaratë të përbashkët, Mirela Kumbaro dhe Drejtori Ekzekutiv i Patagonias, Ryan Gellert kanë shpjeguar hapat që do ndiqen drejt shpalljes së lumit të fundit të egër në Europë, Park Kombëtar.

“Ditën e nënshkrimit të Memorandumit ne ishim të vetëdijshëm për punën komplekse që na priste. Si hap të menjëhershëm pas ceremonisë organizuam takimin prezantues me ekipin tonë – eskpertët përgjegjës për marrjen e çdo veprimi për mbrojtjen e përhershme të Vjosës dhe degëve të saj me rrjedhje të lirë, në nivelin e Kategorisë II të IUCN.

Ekipi përbëhet nga mbi 30 ekspertë, nga Shqipëria dhe e gjithë bota, të specializuar në fusha të ndryshme si eko-turizmi, grupe interesi, planifikimi dhe menaxhimi i parkut, financimi i qëndrueshëm, legjislacioni mjedisor , komunikimi dhe promovimi, si dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis, të udhëhequr nga koordinatorë lokalë dhe ndërkombëtarë.

Në 100 ditët e para të projektit, në partneritet me Patagonian, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe një rrjet OJQ-sh, grupi i punës ka ndërmarrë hapa të qarta për të arritur objektivin e përbashkët për:

• Përcaktimin e kufijve dhe zonave të parkut të ardhshëm kombëtar;

• Zhvillimin e një koncepti për strukturën e menaxhimit të parkut kombëtar në vitin e parë, duke llogaritur burimet njerëzore, si dhe materialet e nevojshme për menaxhimin e parkut kombëtar;

• Krijimin e një koncepti për eko-turizmin brenda pellgut ujëmbledhës të Vjosës;

• Ndërtimin e opsioneve për financimin e qëndrueshëm të funksionimit dhe menaxhimit të parkut kombëtar;

• Mbështetjen e procesit nëpërmjet angazhimit të palëve të interesit dhe përpjekjet për të siguruar që në çdo fazë të tij, projekti të jetë transparent për publikun” thuhet ndër të tjera në deklaratë.