Pse më shumë se kurrë janë të rëndësishëm qentë e kërkimit

Kur nisi operacioni i kërkimit dhe shpëtimit të banorëve nën rrënoja, u raportua se mungonin qentë e kërkimit. Në vijim, rezultoi se policia, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ushtria dhe të gjitha ekipet për emergjencat civile nuk ishin të pajisur me qen të specializuar për fatkeqësi të tilla natyrore. Qentë erdhën fillimisht nga Kosova.

Së fundmi, kryeministri i Kroacisë Andrej Plenkovic dhe presidentja Kolinda Grabar-Kitarovic dërguan një ekip shpëtimi të pajisur me 8 qenë kërkues.

Qentë e kërkimit janë të trajnuar për të ardhur në ndihmë në katastrofa të tilla natyrore. Ata stërviten për të gjetur njerëzit ose viktimat e bllokuara nën rrënoja. Kur vendosen në terren, qentë kërkojnë fillimisht për personat që janë ende gjallë, jo për të vdekurit, prandaj edhe në këtë pikë janë më efektivë se njerëzit.

Përmes shqisës së zhvilluar të nuhatjes, qentë priren që të gjejnë me lehtësi personat. Po kështu, ata janë më të aftë për t’u futur në hapësira në vogla dhe pesha e tyre nuk shkakton rrezik të madh për njerëzit e ngecur nën rrënoja.

Në një moment kur operacioni i kërkimit është në luftë me kohën, pasi sa më shumë çaste kalojnë aq më shumë rritet mundësia që të tjerë persona nën rrënoja të humbin jetën, qentë janë një element i rëndësishëm për gjetjen e atyre që janë ende gjallë./Anabel