Zoti nuk i dha mundësinë për t’u bërë nënë, por çfarë ka zgjedhur si alternativë Sharon Stone?

“Duke qenë se fati nuk më bekoi me mundësinë për t’u bërë nënë, mundohem të jem një nënë e mirë birësuese. Duke vepruar kështu, bëj mirë edhe për të tjerët. Ka kaq shumë fëmijë në kërkim të një familjeje. Mendoj se adoptimi është mënyra e dytë më e madhe që Zoti na ka falur për të pasur fëmijë. Qenia njerëzore nuk formohet nga personi që e lind, por nga personi që e rrit me dashuri.

Në të ardhmen, dua që njerëzit të më mbajnë mend si një nënë e mirë, më tepër se sa si një aktore e mirë. Do të doja të shohin: “Fëmijët e Sharon Stone janë të jashtëzakonshëm”. Më parë kisha shumë komplekse, kurse tani jo më. Jetoj ditë pas dite, jam e lumtur për orët e kaluara me fëmijët e mi dhe jam më e sjellshme me personat që më rrethojnë. Mundohem të jem një person i mirë”. – Sharon Stone

Ka plot femra dhe çifte që Zoti nuk i bekon me mundësinë për të qenë respektivisht nëna dhe prindër të një fëmije. Por ky nuk është fundi i botës. Për fat të mirë, tashmë ka plot alternativa të tjera se si të bësh fëmijë, që nga fertilizimi in vitro, e deri tek birësimi i një fëmije. Ne jemi shoqëri ende me mendime konservative dhe na duket ende i çuditshëm birësimi, por në botë është diçka krejtësisht normale. Janë fëmijë që kanë nevojë për një familje dhe i duan po njësoj prindërit birësues, ndoshta edhe më shumë. Siç shprehet edhe Sharon Stone, “Prind në fund të fundit, nuk është ai që të lind, por ai që të rrit me dashuri”. Ndaj, në kushtet e mungesës së një fëmije biologjik, shumë mirë mund të birësohet një fëmijë që ka nevojë për një familje. Kështu, jo vetëm mbush atë zbrazëtinë e mungesës së një fëmijë, por i jep atij mundësinë edhe të ndihet i veçantë, të ndihet i zgjedhur dhe i dashur nga dikush në këtë jetë…