Zemër lope, mëlçi dhe ujë i filtruar, Haaland merr 6000 kalori në ditë

Ylli i padiskutueshëm i Manchester City-t, Erlin Haaland, ka zbuluar për herë të parë dietën e pazakontë ushqimore që ndjek, që sipas tij e ka ndihmuar të befasojë të gjithë në muajt e parë në futbollin anglez. Sulmuesi i transferuar këtë verë nga Borussia Dortmund dhe deri tani ka shënuar 20 gola me skuadrën e tij të re, 15 prej të cilëve në vetëm 9 ndeshje në Premier League.

Në një dokumentar të titulluar “Haaland, vendimi i madh” norvegjezi tregon me detaje listën e zgjedhur të ushqimeve që konsumon, ku gjatë një dite merr rreth 6000 kalori. Teksa mban në duar një qese të madhe me zemër dhe mëlçi, ai thotë: “Ju të tjerët nuk i hani këto, por shqetësimi im është të kujdesem për trupin tim. Mendoj se ushqimi i shëndetshëm, sa më shumë bio të jetë e mundur, është gjëja më e rëndësishme”.

22-vjeçari gjithashtu zbuloi se konsumon ujë vetëm përmes një sistemi të ndërlikuar filtrimi. “Gjëja e parë që bëj në mëngjes është të shoh diell me sy, është gjë e mirë për ritmin kardiak. Gjithashtu kam nisur të filtroj ujin. Besoj se kjo i bën mirë trupit tim”, tregon Haaland. Sulmuesi i gjatë 1,94 metra tregoi gjithashtu se lahet me ujë të akullt dhe mban syze që filtrojnë dritën.