Zbulohen prapaskenat e sherrit mes dy aktorëve të humorit/ Si degradoi në përplasje fizike konflikti. Ledio Lako goditi Gent Hazizin dhe shefin e kuzhinës, pas…

Dy aktorët e njohur të humorit,Ledio Lako dhe Gentian Hazizi, u përfshinë në një konflikt fizik mesditën e së hënës në Tiranë, sa u desh ndërhyrja e Policisë për t’i ndarë.

Policia e Tiranës, përmes një njoftimi zyrtar për sherrin e ndodhur mes dy aktorëve dhe mikut të njërit prej tyre, shef kuzhine, dha detaje lidhur me referimin që është bërë në Prokurori për ngjarjen. Ngjarja ka ndodhur të hënën, në bulevardin “Gjergj Fishta”, pranë një karburanti, për motive që ende nuk janë bërë zyrtarisht të qarta.

Në njoftimin e saj, Policia bën me dije se ka qenë aktori Ledio Lako ai që ka goditur me një përforcues grushti metalik aktorin Gentian Hazizi dhe mikun e këtij të fundit, Elton Myftiu. “Përforcuesi metalik, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndërkohë që dje (të hënën) u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, për shtetasin Ledio Lako, 40 vjeç”, njoftoi dje Policia. Në njoftim thuhet se referimi në Prokurori është bërë për veprat penale “Prodhim, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

MOTIVI

Shkaku i sherrit të bujshëm mes aktorëve të njohur të humorit shqiptar, Ledio Lako dhe Gentian Hazizi nis me disa komente në rrjetet sociale. Mësoht se sherri, ku nuk munguan dhe grushtet e mjetet e forta, nisi pasi dy aktorët ishin takuar për t’u sqaruar lidhur me disa keqkuptime krijuar nga disa komente në “Instagram”.

Në takimin sqarues ka qenë edhe shoku i Gentian Hazizit, Elton Myftiu, i cili dyshohet se është bërë dhe shkaku i përplasjes mes aktorëve. Kjo, për faktin se, teksa dy aktorët kanë qenë duke u sqaruar për keqkuptimet, Myftiu ka ndërhyrë dhe ka sharë Ledio Lakon.

Ky i fundit i është përgjigjur me grusht, ndërsa ka ndërhyrë menjëherë Genti për t’i ndarë, por në sherr e sipër Lako ka goditur edhe humoristin 47- vjeçar. Ngjarja ka ndodhur ditën e hënë, në bulevardin “Gjergj Fishta”, ndërsa sipas Policisë, aktori Ledio Lako ka goditur me përforcues grushti, metalik, shtetasit Gentian Hazizi dhe Elton Myftiu.

PROTAGONISTET

Sherri mes dy aktorëve të njohur, Ledio Lako dhe Gentian Hazizi ka qenë lajmi që ka bërë bujë ditën e djeshme. “Panorama.al” ka kontaktuar dy personazhet, të cilët ditën e djeshme janë përfshirë në një sherr fizik, që sipas Policisë ka degraduar dhe në përdorimin e mjeteve të forta.

Fillimisht u kontaktua nga gazeta aktori Gentian Hazizi, për ta pyetur për përplasjen me kolegun Ledio Lako. Hazizi nuk e ka mohuar ngjarjen, por ka preferuar të mos e komentojë atë.

Nuk kam çfarë të them. Nuk kam asnjë lloj komenti për të bërë”, tha Gentiani. Ndërkohë që Ledio Lako tha thënë se në asnjë rast nuk ka pasur përdorim të sendeve të forta dhe se konflikti është shoqëruar thjesht me goditje me duar.

“Me shpulla jemi godit. Unë të them sherr për fyti. Nuk të nxjerr njeri nga rajoni po të gjuash me dorezë, mjet metalik të fortë”, tha ai. Ndryshe nga çfarë thonë burime nga Policia, për një ngjarje të ndodhur për shkak të debateve në rrjetet sociale, vetë protagonistët e konfliktit, aktorët Ledio Lako dhe Gentian Hazizi, kanë tjetër version. Hazizi, në fakt, nuk jep asnjë motiv, por thjeshtë konfirmon që ka ndodhur një sherr.

Nga ana tjetër, Lako shprehet se ngjarja nuk është aq e rëndë sa po përflitet dhe se gjithçka ka ndodhur pas një debati gjatë provave në Teatër. Sa i përket përforcuesit të grushtit, një objekt metalik, që konsiderohet armë e ftohtë, i cili sipas njoftimit të Policisë është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, Ledio Lako e mohon. Madje, sipas tij, në rast se do ishte e vërtetë, ai nuk do të ishte i lirë sot, por në qeli./ Panorama.al