“Window shopping”/ Vitrinat që na marrin mendjen, pse biem në grackën e blerjeve spontane!

Malbora Gurra/ Beauty and Retail Expert

Secili prej nesh ka kaluar para vitrinave të dyqaneve të ndryshme me mendimin vetëm për të psonisur me sy. Dhe për të qenë e sinqertë, shpeshherë ndodh që produkte të prezantuara në vitrina hyjnë disi papritur në çantën e blerjeve! Apo jo? Atëherë ky është momenti kur unë si eksperte në Retail kuptoj që ekipi i dizajnërve për marketing vizual të dyqanit, kanë bërë një punë të mrekullueshme!

Pse është i rëndësishëm prezantimi vizual?

80% e të gjitha blerjeve janë blerje impulsive, domethënë vendime blerjeje spontane dhe të paplanifikuara, të cilat shkaktohen nga stimuj të ndryshëm në proçedurën e blerjes. Sekreti i prezantimit vizual është të motivoje klientët që në kontaktin e parë para vitrinës të vizitojë dyqanin në ambientet e shitjeve. Prezantimi optimal i mallrave inkurajon blerjen, që do të thotë se shitjet janë rritur!

Vendosja dhe stilimi i produktit janë thelbësore, kur bëhet fjalë për prezantimin e suksesshëm vizual. Produktet e prezantuara në mënyrë strategjike dhe kombinimi i arsyeshëm shpesh inkurajojnë blerjet spontane.

Si për shembull: Pantallonat prezantohen me një outfit te përshtatshem, ku nuk duhet të mungojë edhe rripi, bluza, këpucët dhe syzet e diellit, element në këtë rast pklotësues të cilat të gjitha inkurajojnë blerjet impulsive.

Prezantimi i artikujve në dyqan duhet të jetë vazhdimisht i ridizenjuar dhe kreativ. Klientët kërkojnë shumëllojshmëri dhe frymëzim. Nëse prezantimi qëndron i njëjtë për një periudhë të gjatë kohe, shitjet do të ngecin dhe klientët do të hyjnë në dyqan më rrallë sepse ambjenti do u duket i vjetëruar dhe aspak inspirues. Shkurt e qartë, u humb kureshtja.

Duke qenë se jo në çdo kompani apo dyqan ka njerëz që janë të specializuar në këtë fushë, shumë agjensi janë specializuar në shërbimin e optimizimit të zonave të shitjes. Ata e shohin veten si partnerë të dobishëm në tregtinë me pakicë, dhe ofrojnë mbështetje në prezantimin vizual duke influencuar në mënyrë pozitive edhe shitjet.

Cilët janë elementët kryesorë të tregtimit visual që na marrin mendjen:

Përshtatja e ngjyrave të artikujve

Çfarë na tërheq fillimisht vizualisht? Janë ngjyrat! Një gamë ngjyrash ose një ngjyrë tërheq vëmendjen e blerësit në nënndërgjegjje. Përshtatja e ngjyrave është baza e mediave vizuale dhe përcakton atmosferën e ambientit të shitjes dhe produkteve.

Tekstura

Përsëri, gjithçka ka të bëjë me tërheqjen e vëmendjes së klientëve. Një pikë tjetër e rëndësishme që mund të përmirësojë shitjet janë kombinimi ideal midis kontrasteve përmes teksturave. Të përshtatura saktë, tekstura ose kontrasti i saj me teksturat e tjera, sinjalizon disponim dhe atmosferë dinamike, duke përcjellë mesazhe dhe deklarata.

Storytelling

Një histori treguar bukur në lidhje me koleksionin, parfumin ose kapelen që sapo ju tërhoqi vëmendjen në vitrinë qëndron në kujtesën e klientit për një kohë të gjatë, dhe i bën ata t’u tregojnë të tjerëve për eksperiencën e bukur që kanë pasur në dyqanin tuaj ose të kthehen përsëri në ambienet tuaja. Kjo sepse historia e treguar rreth artikullit ka formuar një lidhje emocionale me shërbimin dhe produktin tuaj. Një mënyrë e mirë janë po ashtu fotografitë ose posterat që krijojnë një dialog në mur me blerësin.

Konsumatorët tregojnë madje ndaj historive rreth produktit, të cilit ata interesohen t’i tregojnë shumë vemendje. Kjo teknikë e vizualizimit përdoret edhe nga brand-e me famë ndërkombëtare si element shume i rëndësishëm në bisedën e shitjes. Siç është një fjalë e urtë “Syri vendos se ç’hamë”. Kjo fjalë e urtë mund të vlejë edhe për zakonet tona të blerjeve, sepse kush mund t’u rezistojë gjërave të bukura?! Dhe kjo është ajo që ka të bëjë me prezantimin vizual dhe joshjen e klientëve.