Vrau 25-vjeçarin në Vlorë dhe fshihej në Tiranë/ Autori u kap i armatosur në zonën e Bllokut. Në oborrin e banesës së tij u gjet e groposur…

Një 39 vjeçar nga Vlora, i identifikuar si Bledar Selmanaj u arrestua si autori i dyshuar i vrasjes së 25-vjeçarit Xhuljano Bullari këtë të mërkurë.
Krimi i rëndë u zbulua të shtunën që lamë pas, ndërkohë që i riu ishte ekzekutuar brenda makinës mbrëmjen e të premtes.
Sipas bluve të Vlorës, vrasja e të riut ka ndodhur për motive të dobëta dhe se autori me viktimën kishin njohje më parë.

Policia tha se arrestimi i autorit u bë në zonën e “Bllokut”, Tiranë.
Bledar Selmanaj, 39 vjeç, banues në Vlorë, rezulton i dënuar disa herë më parë në fushën e krimeve kundër pronës.
“Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në momentin e arrestimit, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë me 1 krehër me 10 fishekë, 1 aparat celular dhe një shumë parash”, bëri me dije policia.
Ndërkohë që gjatë kontrollit në banesën e Bledar Selmanajt, në lagjen “15 Tetori”, Vlorë, është gjetur e groposur në oborrin e banesës së tij, një armë zjarri pistoletë me një krehër me 9 fishekë, me të cilën dyshohet se 39-vjeçari ka kryer vrasjen.

“Po ashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.
Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se autori i dyshuar, shtetasi Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën, të cilin dyshohet se e ka vrarë për motive të dobëta, me armë zjarri, mbrëmjen e datës 20.08.2021”, tha policia.

© Panorama.al