U rikthyen bashkë? Melisa Lleshi dhe Andi Shehu shfaqen sërish në krahët e njëri-tjetrit

Dy ish-konkurrentët e “Për’puthen”, Melisa Lleshi dhe Andi Shehu, zbuluan se nuk janë më bashkë disa javë më parë, pasi fshinë ëdo postim në rrjete sociale që kishin me njëri-tjetrin dhe as nuk ndiqeshin më.

Melisa ndau me ndjekësit disa vargje poezie për ndarjen, në të cilat shkruhej: “Edhe kaq lehtë u shemb gjithçka përdhe! Të desha fort, por ti s’më dashurove!”.

E pas Melisës, ka reaguar edhe Andi, duke lënë të kuptohet se kjo ndarje i paska lënduar shumë, pasi ai publikoi një thënie ku shkruhej: “Marrëdhëniet janë si xhami, ndonjëherë është më mirë t’i lini ato të thyera, se sa të dëmtoni veten duke tentuar t’i bashkoni”.

Mirëpo, dyshja si duket janë rikthyer sërish në krahët e njëri-tjetrit dhe duken më të dashuruar se kurrë më parë.

Melisa Publikoi mbrëmjen e djeshme një video, në të cilën shfaqej duke u mbështetur tek Andi dhe duke mbuluar fytyrën me duar. Krahas saj shkroi me shaka: “Andi Shehu, më le të qetë”.

Më pas, të njëjtin postim e ka ndarë me ndjekësit në llogarinë e tij në Instagram edhe Andi, i cili shkroi: “Fytyrë plastelina ime”, shoqëruar edhe me një zemër të kuqe.

Kohët e fundit, ish-konkurrentët e “Për’puthen” që dolën çift nga programi, u akuzuan se e gjitha ka qenë një lojë dhe se mes tyre nuk ka pasur ndjenja të vërteta. Madje ndjekësit e Melisës e akuzuan atë se gjithçka e ka bërë për vëmendje. Megjithatë, dyshja tregoi me anë të këtyre postimeve se janë ende bashkë dhe se kanë lënë pas krahëve një tjetër zënkë.