U aksidentua me makinë i dehur, gjykata vendos “Arrest shtëpie” për Aleksandër Gjokën

Gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për këngëtarin Aleksandër Gjoka, i cili u arrestua në orët e para të mëngjesit të djeshëm pasi u përfshi në një aksident. Këngëtari rezultoi se drejtonte makinën në gjendje të dehur.

Gjoka u përfshi në një aksident në orët para të mëngjesit të djeshëm në zonën e Farkës dhe u transportua në spitalin e Traumës për shkak të lëndimeve të marra në aksident.

Pak orë para ngjarjes vetë këngëtari zbuloi se në mbrëmë kishte qenë duke pirë në shoqërinë e ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako.

“Me shokun dhe mikun tim te hershem Vangjush Dako(Gjushi)”, shkruante këngëtari në statusin e tij në ‘Facebook’, pak para orës 21:00 të mbrëmjes. Tashmë këngëtari ndodhet në spitalin e Traumës, për shkak të dëmtimeve që ka marrë nga përplasja gjatë aksidentit. Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që arrestohet këngëtari i njohur.

Herën e parë ai u arrestua më 23 dhjetor të vitit 2019 në zonën e Parlamentit, pasi drejtonte makinën në gjendje të dehur.