Tritoli në shtëpinë e Dukës, kreu i FSHF-së publikon mesazhin kërcënues: Për 24 orë jep dorëheqjen ose…

Një shpërthim i fuqishëm eksplozivi u regjistrua mbrëmjen e shkuar në qytetin e Durrësit. Shpërthimi është regjistruar në afërsi të banesës së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, dhe vjen në një kohë kur kanë nisur votimet për zgjedhjen e kreut të ri të kësaj Federate.

Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar. Ngjarja ka ndodhur në Lagjen nr.3 të qytetit bregdetar të Durrësit, rreth orës 22:06, një nga zonat më të populluara në pjesën qendrore të qytetit, duke shkaktuar panik te banorët e zonës. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale në vendngjarje. Në momentin e ngjarjes, në banesën e Dukës ka qenë e pranishme vetëm bashkëshortja, ndërsa vetë kreu i Federatës ndodhej në kryeqytet dhe është nisur menjëherë në drejtim të qytetit bregdetar.

Forca të shumta Policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat. Vetë zoti Duka deklaroi për mediat pasi mbërriti pranë banesës së tij se shpërthimi ka qenë tejet i fuqishëm.

Janë ngritur pika kontrolli për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar të ngjarjes. Në momentin e shpërthimit, në banesë ishte vetëm bashkëshortja e Armand Dukës. Shpërthimi vjen në një moment kur Duka po përballet me një sërë akuzash për shpërdorimin e fondeve të FSHF-së. Duka është përplasur dhe me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. FSHF publikoi një audiopërgjim nga një takim i Veliajt, ku sipas tyre, ka kërcënuar dhe ka ofenduar zyrtarë të Federatës.

DËSHMIA

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbërriti menjëherë në banesën e tij pas shpërthimit të fuqishëm. Ai deklaroi se ngjarja është e qëllimshme dhe ka si sfond zgjedhjet që po bëhen për drejtimin e Federatës. Teksa vila trekatësh e z. Duka ka kamera të shumta sigurie, vetë kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit tha se tritoli ishte vendosur nga një person i maskuar dhe se lënda plasëse ka shpërthyer pranë portës së banesës. “Ajo është e qëllimtë. Nuk kam mundësi të bëj deklaratë tani. E ka dëgjuar gjithë Durrësi që më kanë vënë dinamit te dera e shtëpisë. Në shtëpi ka qenë familja, gruaja, djali. Fatmirësisht nuk kanë mbetur të lënduar. Shpërthimi ka qenë shumë i fortë, porta ka dalë jashtë përdorimit. Kemi pamjet e kamerave të sigurisë që tregojnë një njeri me kapuç që afrohet te porta dhe vë dinamitin te mekanizmi ku hapet dhe mbyllet porta”, tha Duka. Ai pretendon se është kërcënuar me jetë përmes një SMS.

“Ti luan me dy standarde, ti kurvë luan me lekët tona. Për 24 orë jep dorëheqjen ose 60 plumba i ke në kokë, o kurvë, se betimi u bë i pakthyeshëm”.

I ktheva një përgjigje që mjafton dhe me një (plumb) por nuk shkonte. Bëra një hetim vetë, ishte një numër që është përdorur vetëm njëherë dhe është blerë në një dyqan këtu në Durrës. Ka një emër dhe ka 1000 numra. E kisha harruar këtë, se kam pasur ngjarje. Emri i tij ishte Sabian Rrapushi”, tha Duka.

REAGIMET

Kryebashkiaku Erion Veliaj ka reaguar për shpërthimin e tritolit në shtëpinë e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. “Duhet urgjent Policia, Prokuroria dhe kamerat, të sigurohet jeta e kujtdo. Ai është kundërshtari im, jo armiku im. Ai ka bërë shumë gjynahe, por kjo është vepër kriminale e dënueshme. I bëj thirrje Policisë, Prokurorisë, Shërbimit Informativ, të gjithë strukturave ligjzbatuese në Shijak apo ku është rasti konkret, zotërisë t’i sigurojnë jetën, zotërisë t’i garantojë qetësinë familjare, sepse nuk ka lidhje fare shtëpia dhe familja me çfarë bën secili prej nesh në aktivitetin publik. Thirrja ime është që jo vetëm të zbulohen sa më parë në mënyrë të pamëshirshme me këdo që bën gjeste të tilla”, ka theksuar Veliaj për emisionin “TPZ”.

Pas ngjarjes ka reaguar edhe Presidenti i Republikës. “Dënoj me forcë aktin terrorist në familjen e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, z. Armand Duka dhe u bëj thirrje të gjitha institucioneve ligjzbatuese të zbardhin me transparencë këtë ngjarje shumë të rëndë. Një akt i tillë kriminal, në vijim të dhunës verbale, shantazhit dhe presioneve publike, shton emergjencën për ndalimin sa më parë dhe nxjerrjen para drejtësisë të frymëzuesve dhe autorëve”, shkruan Meta. Ka reaguar edhe kreu i PD-së ndaj shpërthimit të djeshëm.

“Zhvillimet rreth FSHF-së tregojnë edhe njëherë degradimin e një pushteti të korruptuar që qëllim të vetëm ka zaptimin me çdo mjet, të çdo institucioni. Strategjia e tensionit e shpalosur ditën e sotme, që kulmoi me eksplozivin e vendosur këtë mbrëmje në banesën e familjes Duka, duhet të ndërpritet me urgjencë dhe drejtësia të mos qëndrojë duarkryq”, shkruan Basha në postimin e tij.