“Top Channel” dje dhe sot/ Fjalimi i Vjollca Hoxhës në ceremoninë e 50-vjetorit të Dritan Hoxhës

Në 16 Tetor, Dritan Hoxha do të festonte përvjetorin e 50-të. Në nder të tij, familja Hoxha dhe i gjithë stafi i televizionit “Top Channel”, i festuan ditëlindjen në ambientet e Studio Nova, që do të shërbejë si studio për rreth 20 programe të këtij televizioni dhe jo vetëm. Festa e organizuar në inagurimin e këtij investimi u bë në një ditë të shënuar për gjithë “Top Channel-in”, shkruan Anabel Magazine. Sigurisht që nuk mund të mungonte fjala e Vjollca Hoxhës, Presidentes së Top Media-s në këtë ditë të shënuar. “16 tetori është dita që përkujtojmë themeluesin e familjes sonë të dytë, dhe festën për nisjen e një sezoni të ri televiziv. Ky vit përkon me 50-vjetorin e Tanit dhe puna e Top Channel vazhdon me ritmet e tij duke u rritur ndaj jemi në studion më të re që i shtohet televizionit dhe me shumë programe të reja që kanë dalë dhe do dalin së shpejti në transmetim.

Ky sezon na gjen sërish në punë për të vazhduar të jemi më të mirët, dhe kjo falë punës vetëmohuese të secilit prej jush”. Më tej Hoxha vazhdon: “Sigurisht që shumë gjëra ndryshojnë, sepse Shqipëria nuk është më ajo e 10 viteve apo 15 viteve më parë. Shumica prej jush ka një jetë brenda këtij televizioni; kanë kaluar më shumë kohë këtu se në familjet e tyre. Kjo vjeshtë disa prej nesh i gjen duke kërkuar veten diku tjetër, të tjerët janë rikhyer në Top. Vitet kanë treguar që Topi është Topi pavarësisht gjithçkaje. Dhe unë u jam shumë mirënjohëse të gjithë atyre që qëndrojnë besnikë ndaj Top Channel. Të festojmë dhe të gëzojmë ashtu siç vetëm stafi ynë di ta bëjë. Faleminderit dhe shumë sukses për sezonin e ri! Faleminderit!”, përfundon fjalimi i Hoxhës.