“Telefonata që më zgjoi nga gjumi”, Monika Lubonja tregon për çmimin në Festivalin e Komedisë

Këtë fundjavë u mbajt festivali më i rëndësishëm i komedisë, “Koko Fest Festival”, i cili zhvillohet në qytetin e Korçës, nën drejtimin e Zamira Kitës. Në këtë edicion të festivalit u bënë bashkë trupa teatrore nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Gjatë mbrëmjes juria profesioniste ndau disa çmime të vlefshme për karrierën e aktorëve. Çmimin “Aktorja më e mirë joprotagoniste” e rrëmbeu Monika Lubonja, për rolin në shfaqjen “Komedia që shkoi për dreq”. Në një prononcim për “Story.al” ajo tregoi momentin kur e njoftuan se sapo kishte fituar një çmim. “Isha në gjumë kur ma dha lajmin mikesha ime, Olta Daku. Do të isha e lumtur që të ndodhesha në skenë, kur të më jepte çmimin pedagogu im dhe partneri në disa role, Ndriçim Xhepa. (Pasi ishte ai që dha çmimin për mua”, trego Monika për revistën “Story”. “Më erdhi ky çmim në kohën dhe momentin e duhur! Ky çmim është i të gjithë trupës së “Komedisë që shkon për dreq”. Ne fituam bashkërisht dhe këtë e kanë treguar duartrokitjet e pafundme të publikut. Faleminderit jurisë për vlerësimin. Ju jam mirënjohëse. Driada Dervishi, Romir Zalla, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Donald Shehu, Bujar Asqeriu, Beqo Nanaj”, shprehet Lubonja ndër të tjera me anë të një statusi në rrjetet sociale.