Stefanos Kasselakis, lideri i ri i SYRIZA-s në Greqi, nuk “ra nga qielli”

Stefanos Kasselakis nuk kishte prejardhje politike kur fitoi udhëheqjen e partisë së majtë të Greqisë, SYRIZA, por ai kishte disa mbështetës të fuqishëm, duke përfshirë aleatët e njeriut që ai pasoi.

Nga Eleni Stamatoukou

I ri, i pashëm dhe i përkushtuar ndaj transparencës, ndarjes së kishës nga shteti, të drejtave të njeriut dhe heqjes së shërbimit ushtarak – kështu u portretizua Stefanos Kasselakis gjatë fushatës së tij për udhëheqjen e partisë greke SYRIZA.

Dhe funksionoi. Të dielën, mbi 55 për qind e rreth 130,000 anëtarëve të SYRIZA-s së krahut të majtë votuan për ta bërë 35-vjeçarin e arsimuar në SHBA liderin e tyre të ri, duke mundur katër rivalët e tij të njohur, duke përfshirë ish-ministren e punës dhe kandidaten kryesore Effie Achtsioglou.

Mediat greke dhe disa analistë politikë e kanë përshkruar fitoren e tij si diçka të papritur.

“Është një origjinalitet që nuk e kemi parë më parë, që në një parti të madhe, madje edhe në një parti zyrtare opozitare, kryetar të bëhet një njeri që deri para një muaji nuk e njihte askush”, tha Aris Stylianou, profesor i shkencave politike në Universitetin Aristoteli në qytetin verior të Selanikut dhe një kandidat për deputet për SYRIZA-n në zgjedhjet në qershor.

Por a u shfaq vërtet Kasselakis nga askund?

“Asgjë nuk bie nga qielli”, tha politologu Lefteris Kousoulis. “Dikush e organizon këtë mbështetje.”

Në të vërtetë, lëvizjet e para të liderit të ri sugjerojnë një borxh mirënjohjeje ndaj Tsiprasit dhe aleatëve të tij të diskutueshëm Pavlos Polakis dhe Nikos Pappas.

Asnjë bagazh politik

Alexis Tsipras ishte gjithashtu i ri dhe i guximshëm kur mori drejtimin e partisë në 2008, dy vjet më i ri se Kasselakis tani. Ai e udhëhoqi partinë në pushtet në vitin 2015 pas zhgënjimit të thellë publik mbi rritjen e taksave dhe shkurtimet e shpenzimeve të imponuara si kusht i paketave ndërkombëtare të shpëtimit për të shmangur një kolaps financiar grek dhe dalje të mundshme nga Eurozona.

Katër vjet më vonë, SYRIZA humbi zgjedhjet. Kur partia arriti të merrte vetëm 17 për qind të votave popullore, Tsipras njoftoi dorëheqjen e tij si kryetar i saj.

Kasselakis ishte kandidati i fundit që u regjistrua në zgjedhjet për kryetar, duke iu bashkuar figurave të SYRIZA-s Achtsioglou, Nikos Pappas, Euclid Tsakalotos dhe Stefanos Tzoumakas.

Por Kasselakis nuk shfaqej krejt papritur.

Në maj të këtij viti, ai u zgjodh nga Tsipras për një pozicion të privilegjuar në listën e kandidatëve për deputetë të partisë, megjithëse performanca katastrofike e SYRIZA-s nënkuptonte se ai humbi një vend në parlament. Duke kandiduar për ta zëvendësuar atë si kryetar, Kasselakis tha se ishte krenar që “Alexis Tsipras më solli në parti”.

Që në fillim, Kasselakis kishte gjithashtu mbështetjen e Pavlos Polakis të SYRIZA-s, një mjek i hapur dhe ndonjëherë kontrovers, ish-ministri i mbrojtjes dhe admirali i marinës Evangelos Apostolakis, dhe, veçanërisht, Nikos Pappas, një aleat i ngushtë i Tsiprasit, i cili ishte dënuar vetëm disa muaj më parë për shpërdorim detyre për një tender licence televizive kur SYRIZA ishte në pushtet.

Kandidimi i vetë Pappas për kryesimin e partisë përfundoi në raundin e parë, por ndikimi i tij në parti mbetet i fortë nën Kasselakis.

Kasselakis mund të mos ketë origjinën politike të rivalëve të tij, por ai gjithashtu erdhi pa bagazhet e tyre.

“Baza elektorale e SYRIZA-s funksiononte në mënyrë anti-sistematike”, tha Manos Papazoglou, Profesor i Asociuar në Sistemet Politike në Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Peloponezit.

“Ata mendonin se pasardhësit e Tsiprasit kishin qenë të përfshirë në çështjet e qeverisë dhe u fajësuan për shumë gjëra, duke përfshirë, siç thonë ata, për minimin e Tsiprasit.”

“Pra, alternativa ishte Kasselakis, i cili krijoi një dinamikë të madhe që nuk mund ta ndalosh lehtë.”

Ëndrra amerikane

Në një spot elektoral me regji të Nikos Soulis, i njohur më shumë për videoklipet e yjeve të popit grek, Kasselakis ndau foto të tij, prindërve dhe partnerit të tij amerikan, duke e përshkruar veten si një njeri që punoi shumë dhe kaloi shumë vështirësi për të jetuar “ëndrrën amerikane”.

Kasselakis thotë se u largua nga Greqia për në SHBA në moshën 14-vjeçare.

Me një grant nga Fondacioni Stavros Niarchos, ai mori dy diploma në Universitetin e Pensilvanisë, në financë dhe studime ndërkombëtare, përpara se t’i bashkohej bankës investuese Goldman Sachs në moshën 21-vjeçare.

Sipas Kasselakis, në vitin 2008 ai ishte vullnetar në stafin e fushatës së Joe Biden, në atë kohë senator, dhe se gjithashtu bëri një stazh në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington.

Ai më vonë themeloi SëiftBulk, një kompani transporti me bazë në Nju Jork e blerë në 2018 nga Tiptree Marine, ku Kasselakis renditet si aksioneri kryesor.

Mediat greke shkruar artikuj të shumtë për liderin e ri të SYRIZA-s, me raportime për jetën e tij me partnerin e tij amerikan, qenin e tyre, rrobat e tyre… Por Kasselakis ka qenë gjithashtu objektiv i komenteve homofobike në mediat sociale, si dhe pyetjeve rreth marrëdhënieve të tij të biznesit dhe lidhjeve të raportuara me familjen Nomikos, raporte që Kasselakis i ka mohuar.

Ka pasur gjithashtu kritika për një mungesë të perceptuar të transparencës mbi pasuritë e tij.

“Nuk e dimë nëse ka miliona, është i varfër apo ka borxhe”, tha Papazoglou. “Gjithashtu, një çështje tjetër është se si do ta sigurojë jetesën. Paga nuk jepet, ndaj duhet të hyjë vetë në një rrjet transparence. Ai është kreu i opozitës; çfarë besimi mund të kemi te ky njeri?”

Kasselakis ndonjëherë është futur në telashe me komentet e tij publike, të tilla si kur ai e përshkroi Qipron veriore të pushtuar nga turqit si një shtet. Ai e shpjegoi atë si një lapsus.

“Dizavantazhi i Kasselakis, që është edhe avantazhi i tij, është se ai duket mjaft injorant; ai nuk merr vesh nga politika”, tha Stylianou, nga Universiteti Aristoteli.

“Shumë njerëz e votuan sepse nuk i ngjan politikanëve, sepse nuk është i korruptuar dhe nuk ka qenë i përfshirë në çështjet e brendshme të SYRIZA-s. Ata preferuan të panjohurën dhe të paparashikueshmen, me shpresën se gjërat do të ndryshojnë.”

A do të braktisë ai rrënjët radikale të partisë?

Teksa fliste pas fitores së tij të dielën, Kasselakis mohoi të ishte ndonjë lloj “fenomeni”, duke e deklaruar veten thjesht “zëri i një shoqërie”.

Por ai kishte disa zëra të tjerë të fuqishëm pas tij, tha Kousoulis.

“Ai u zgjodh sepse gjeti mbështetje shumë të mirëorganizuar në SYRIZA, pa të cilën ai vetë nuk do të kishte mundur të ekzistonte”, tha Kousoulis për BIRN.

“Si ndodh që papritmas gjysma e grupit parlamentar të SYRIZA-s dallon karakteristikat e shpëtimit politik te Kasselakis?”

Mëngjesin pas fitores së tij, Kasselakis vizitoi Tsiprasin në zyrën e tij parlamentare. Kryetari në largim e përgëzoi pasardhësin e tij dhe Kasselakis.

Ai emëroi kushëririn e Tsiprasit, Giorgos, si drejtor të Komitetit të SYRIZA, avokatin e Polakis, Manolis Kapnisakis si drejtor të zyrës politike të kryetarit të SYRIZA-s dhe aleaten e Polakis, Dora Avgeri, si zëdhënëse për shtyp të partisë.

Achtsioglou nuk pranoi t’i bashkohej formacionit të ri.

Duke pasur parasysh profilin e tij, ka pyetje nëse Kasselakis do ta riformësojë partinë sipas linjave të një partie klasike liberale, duke hequr dorë nga rrënjët e majta radikale të SYRIZA-s. Të bësh këtë do të thotë të rrezikosh një ndarje.

“Nuk e di se sa larg do të shkojë një parti liberale në Greqi”, tha Stylianou. SYRIZA nën drejtimin e Kasselakis mund të tërheqë disa votues nga partia qeverisëse e qendrës së djathtë Demokracia e Re, ose nga partia opozitare PASOK në të majtë, tha ai për BIRN.

Por, paralajmëroi ai, “ekziston gjithashtu një shans që të pakësohet”.

“Kasselakis nuk është magjistar, që i bën të gjitha vetëm. Ai ka nevojë për një përpjekje kolektive, një ndryshim të koordinuar në strukturat e partisë dhe një propozim politik që duhet bërë më i qartë.”

Mesazheve të SYRIZA-s i ka munguar qartësia prej kohësh, tha Stylianou, “dhe deri më tani me Kasselakis – nga sa kemi dëgjuar prej tij – ai mund ta turbullojë atë edhe më shumë”.

Për Kousoulis, do të shfaqet një SYRIZA e re.

“SYRIZA e vjetër nuk ekziston më”, tha ai. “Do të shohim se si do të formësohet identiteti i saj i ri politik.”