Si e shfrytëzoi Romeo Veshaj lidhjen me Jonida Maliqin për publicitet dhe “preja” e rradhës/Plani i artistes për këngë me Flor Mumajesin

Jonida Maliqi i ka dhënë fund lidhjes me aktorin e humorit, Romeo Veshaj. Çifti nuk shoqërohen kohët e fundit, dhe mësohet se vendimin për shkëputjen e marrëdhënies e ka marrë këngëtarja, ndërkohë që pas kësaj Romeo i mërzitur ka fshirë foton e tyre nga profili në Instagram. Po si arriti Romeo të hynte në jetën e Jonidës dhe fama e menjëhershme që mori në krah të saj? Ishte e kuptueshme se si Romeos iu shtuan kreditet kur filloi të komentohej për romancën me Jonidën, e cila ka një karrierë shumëvjeçare pasi ka dalë në skenë që fëmijë. Doli nga korniza thjesht e “binjakut” të humorit me vëllain Donald Veshaj, dhe mori shumë oferta televizive dhe reklama, si dhe zgjeroi rrethin e tij artistik. Djali simpatik nga Vlora provoi ngritjen më të madhe të imazhit në metropol, duke shijuar frytet e famës si partneri i Jonidës. Me publikimin e videos së para dy viteve në Paris të Jonidës me Flor Mumajesin, mediat hamendësuan se mund të ishte kjo arsyeja e ndarjes, por e vërteta qëndron ndryshe. Në video Jonida është bionde, dhe video është bërë kur as nuk e njifte fare Romeon. Pas daljes së videos edhe pse ishim ndarë, i pavend u duk reagimi i Romeos, i cili iu rikthye humorit të stilit “ Al pazar” duke përdorur një frazë të Xha Sulos “U prish dynjaja”. Theksojmë që Jonida ka një miqësi 20 vjeçare me Flor Mumajesin, madje po punojnë për një bashkëpunim që do të publikohet së shpejti. Ndërsa Romeo flitet se po shoqërohet me prezantuesen Sara Kolami, “ preja” e rradhës për më shumë famë duke pasur në krah vajzat e showbizit.

0E2DC1A9-F594-45B0-99F5-88EAF9E5D0B0

Si u zbulua lidhja me Jonidën që u mbajt për ca kohë e fshehtë? Muaj më parë aktori i “Al Pazar”, Romeo Veshaj postoi në Instagram foton duke udhëtuar me një vajzë që i mbulonte fytyrën me emoji. Puzzle-i i fotos romantike u plotësua nga këngëtarja, e cila u shfaq me të njëjtin kostum në foton me të. Kjo lojë postimesh u pasua nga një tjetër foto më domethënëse e Romeos, ku pozonin të mbështetur në mur, dhe shkruante “Mision i mundur 9”, shoqëruar me disa zemra të Jonidës. Në fillim çifti bënë një lojë të vërtetë me ndjekësit për të zbuluar pak nga pak momente nga lidhja e tyre romantike. Jonida Maliqi dhe Romeo Veshaj po përfliteshin se ishin në një lidhje dashurie, jo vetëm për faktin se aktori i ”Al Pazar” ishte një mbështetje e madhe për Jonidën në Eurosong, por edhe se ishin parë shpeshherë bashkë në baret e Tiranës. Disa ditë pas publikimit të lajmit, Jonida me kthimin nga Tel Aviv u shpreh se “Jeta ime personale dua të mbetet e tillë”, duke dhënë shenjat e para të pranimit. Ndërsa Romeo konfirmimin e tij e bëri me foton që fliste sa një mijë fjalë. Ai vendosi të merrte vetë frenat e pranimit të lidhjes në publik, duke postuar një moment në makinë, gati për udhëtimin romantik në çift. Tre vite pas deklarimit të divorcit nga partneri prej 17 vitesh, Maliqi ka hyrë në një episod të ri në jetën e saj. Fjalët për fillimin e lidhjes me Romeo Veshaj e “Al Pazar” nisën gjatë muajit nëntor 2018. Gjithçka nisi kur Romeo kishte postuar një foto me një vajzë misterioze me flokë të zeza, për të cilën mediat aluduan dhe atëherë se ajo vajza ishte pikërisht këngëtarja e famshme, Jonida Maliqi. Më pas, portalet u përpoqën të vërtetonin këtë fakt duke gjetur lidhjen e ambienteve të njëjta të postimeve që bënin në profilet e tyre në “Instagram”, si Jonida ashtu dhe Romeo. Gjatë këtyre muajve ata nuk e mohuan lajmin, por as folën publikisht për marrëdhënien e tyre, duke ia lënë kohës zbardhjen e së vërtetës. Nuk vonoi dhe Romeo iu rikthye sërish zakonit të postimeve me Jonidën, si për t’i hedhur benzinë zjarrit, e për ta vazhduar kuiz-in me median për të zbuluar misterin e vajzës misterioze që ai po shoqërohej. Kush ishte Romeo para lidhjes me Jonidën? Ai njihet si Montana i “Al Pazar” bashkë me vëllain Donald Veshaj në rolin e Montelës. Vitin e kaluar, mediat shkruanin se ai dhe vëllai, përveç punës në televizion, prej vitesh investonin paralelisht në një biznes, një bar në qendër të Tiranës. Ai hyri i vetëm në botën e spektaklit, por u bë edhe më i suksesshëm kur atij iu bashkua vëllai binjak, Donaldi. Nuk dihet nëse Universiteti i Arteve është dhe ambienti ku ai mund të jetë njohur me Jonidën, e cila po ashtu ka punuar si pedagoge, krahas karrierës artistike si këngëtare. Ndërkohë, le të presim argumentimin e ndarjes nga të dy!/Story.al