Shuhet Kristaq Mitro, regjisori që përfaqësoi Shqipërinë në arenat botërore

Regjisori i njohur shqiptar, Kristaq Mitro ka ndërruar jetë këtë të hënë në moshën 77 vjeçare. Ai vuante nga një sëmundje dhe pas një operacioni në Vjenë, ka mbyllur sytë përgjithmonë duke lënë dhimbje të familja, kolegët dhe ata që e njohën.

Ai ishte “Artist i Merituar” dhe një njeri i nderuar, një regjisor që ka përfaqësuar Shqipërinë në arena të ndryshme dhe sfida botërore.

Kristaq Mitro ishte një nga regjisorët më të famshëm të kinematografisë shqiptare që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e filmit shqiptar. Mitro jepte kontributin e tij si pedagog në Universitetin e Arteve në Tiranë, në degën Regji Filmi dhe Televizioni.

Disa nga filmat e zhvilluar nën regjisurën e tij janë “Një djalë edhe një vajzë” (1990); “Telefoni i një mëngjesi” (1987); “Duaje emrin tënd” (1984); “Apasionata” (1983); “Njeriu i mirë” (1982); “Në prag të lirisë” (1981); “Liri a vdekje” (1979); “Nusja dhe shtetrrethimi” (1978); “Dimri i fundit” (1976); “Tokë e përgjakur” (1976); “Kur zbardhi një ditë” (1971) – ndihmës regjisor.

filmi “Një vajzë dhe një djalë”, ishte realizimi i projektit të fundit të Kristaq Mitros. Në një intervistë të dhënë tre vite më parë, Mitro u shpreh se po mendonte të rikthehej, madje kishte përzgjedhur kastin dhe vendet e xhirimit.