Sërish prostitucion në qendër masazhi/ Arrestohet administratorja, pranga edhe për punonjësen dhe klientin (Emri)

Tre persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranës pasi ishin të përfshirë në një skemë prostitucioni, të fshehur sërish pas një qendre masazhi.

Mësohet se është arrestuar Selma Halili, 21 vjeç , administratorja e një qendre masazhi, ku ushtrohej aktiviteti i prostitucionit, e po ashtu dhe një prej punonjëseve të qendrës, E.Y, 26 vjeç. Në pranga ka rënë gjithashtu dhe një klient, L.V, 25 vjeç.

21-vjeçarja administronte qendrën e masazheve në rrugën “Luigj Gurakuqi”, ku kishte punësuar edhe të renë e vënë në pranga dhe përveç masazheve ushtronin edhe prostitucionin.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Më herët një skemë e tillë u përdor dhe nga një ish-konkurrent i “Për’Puthen”, Alban Dyrmishi, i cili kishte hapur një qendër masazhi, ku në fakt ushtrohej aktiviteti i paligjshëm i prostitucionit.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Camouflage 22”, pas hetimeve disamujore.

Operacioni policor i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.

Shfrytëzonte qendrën e masazheve për aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit, vihet në pranga administratorja.

Gjithashtu arrestohen në flagrancë punonjësja e qendrës së masazheve, së bashku me një klient.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disamujore, si dhe pas transmetimeve të pamjeve filmike në një nga emisionet investigative, u finalizua operacioni policor i koduar “Camouflage 22”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. H., 21 vjeçe, për veprat penale “Shfrytëzimi i prostitucionit” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”;

– E. Y., 26 vjeçe dhe L. V., 25 vjeç, për veprën penale “Prostitucioni”.

Shtetasja S. H. administronte një qendër masazhesh në rrugën “Luigj Gurakuqi”, në të cilën kishte punësuar shtetasen E. Y., dhe përveç aktivitetit të regjistruar ligjërisht si qendër masazhesh, ushtronin dhe aktivitetin e kundërligjshëm të prostitucionit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.