Sejdo Harka promovon “Nobelistët”: Isha student i Kadaresë, kur më ra në dorë libri i ndaluar, “I huaji” i Albert Kamysë

Në të gjithë botën, librat e shkruar nga nobelistët, këta gjeni të fjalës, kanë dëshmuar se veprat artistike janë në lartësinë e ideve të tyre filozofike, duke i shpallur fitues ndër vite të Çmimit Nobel për Letërsi. E vërteta është që vepra e këtyre shkrimtarëve ka qëndruar e kristaltë dhe ndërsa regjimet kanë rënë, emrat e tyre janë ngritur gjithmonë e më shumë në yllësinë e botës së letrave.

Kjo madhështi e “shkrimtarit të madh” që posedon një Nobel sot, ka tërhequr dhe studiuesin dhe kritikun e letrave, Sejdo Harka, autorin e librit të tij më të ri, me titull “Nobelistët” (Ese dhe sprova letrare). Zakonisht krijuesit i mbledhin impresionet nga kryeveprat që lexojnë, si postulate që u pasurojnë mendjen dhe shpirtin, por në rastin e Sejdo Harkës, saga e këtij libri nis me kujtimet e jetës universitare kur në mënyrë të fshehtë lexoi “I huaji” i Albert Kamysë. Arti i rrallë i kësaj letërsie do ta nxiste më tej për studimin e autorëve të tjerë më pas. Dhe kur e pa se shënimet për këta leaureatë të çmimit “Nobel” ishin bërë shumë, nisi t’i përmblidhte në këtë libër të veçantë, ku përfshihet një biografi e shkurtër dhe analiza kritike e një vepre letrare të secilit prej 27 nobelistëve në letërsi, nga 117 që ka bota deri më sot. E pak ditë më parë, në ambientet e hotel “Rogner” në Tiranë, Sejdo Harka e promovoi librin e tij “Nobelistët”, botim që pason atë me titull “Modernët e kohës”. Në këtë promovim të “Nobelistët” me parathënie nga shoqja e universitetit, shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur, Diana Çuli, ishin të pranishëm të tjerë personalitete të spikatur të fushës së letrave, pedagogë e personalitete të medias. Ata vlerësuan stilin dhe origjinalitetin e të shkruarit të z. Harka, mes të cilëve: Albert Zholi, Ymer Çiraku, Viron Kona, Gëzim Tushi, Hektor Veshi, Përparim Hysi, Iliden Spase, Delo Isufi, Zyhdi Dervishi, etj. Të pranishmit e konsideruan “Nobelistët”, vepër të nivelit të lartë në shkrimtari dhe analizë letrare, që pasuron panteonin e letrave shqipe, si publikim me vlerë, që u vlen nxënësve të shkollave të mesme, studentëve, letrarëve, por edhe lexuesve që kanë pasion letërsinë e bukur, që tërheq si magnet me magjinë e saj. Përmes kësaj interviste për gazetën “Panorama”, Sejdo Harka, ky zë i njohur i kritikës letrare, rrëfen historinë personale se si i ra në dorë diku në fillim të viteve ‘70-të, libri i parë i shkruar nga një nobelist si Kamy, që konsiderohej “i ndaluar” në Shqipërinë komuniste, e deri më sot ku në piedestalin e letërsisë qëndrojnë fituesit e çmimit më të lartë për arritjet më të mëdha letrare…

“Nobelistët”, ishte ftesa që u bëre miqve të botës së letrave dhe jo vetëm, pasi kështu e ke titulluar librin tënd më të ri. Ishte kjo një festë për letërsinë e mirë, që gjithmonë na magjeps, edhe pse jetojmë në kohën e teknologjisë apo jo?

E vërtetë. Ishte një ftesë për të festuar së bashku për letërsinë e mirë, cilësore dhe që lë gjurmë te secili prej nesh. Në promovimin e librit tim më të ri “Nobelistët”, në prani të shumë studiuesve, personaliteteve të artit e kulturës, shumë lexuesve, miqve, shokëve, e ndjeva veten shumë të lumtur e të privilegjuar. Në këtë takim të gëzueshëm, të cilin e drejtoi me mjeshtëri moderatori Albert Z. Zholi, folëm, diskutuam dhe festuam mes miqsh për finalizimin e këtij libri, gjatë një rrugëtimi sa të bukur, aq dhe sfidues për mua. Ishin të shumtë ata të pranishëm, që me diskutimet e tyre më lanë pa fjalë. Falënderova me gjithë shpirt bashkëpunëtorët, por veçanërisht diskutantët kryesorë: Diana Çuli, Ymer Çiraku, Viron Kona, Gëzim Tushi, Hektor Veshi, Përparim Hysi, Iliden Spase, Delo Isufi, Zyhdi Dervishi, Kapllan Sulaj, Ramiz Kamani etj.

Si ju lindi ideja për të shkruar një libër me emrat më të mëdhenj të letërsisë botërore?

Kërshëria për të lexuar nobelistët më ka nisur që në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur ende isha student në vitin e dytë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Atëherë ishte e vështirë, jo vetëm t’i gjeje, por edhe t’i lexoje veprat e tyre. Por fati e solli të njihesha me një student kosovar, që quhej Idriz Zeqiraj, i cili pasi ishte arratisur nga Kosova, ku kishte punuar gazetar, ishte regjistruar student në kursin tonë për gjuhë shqipe. Me vete kishte marrë edhe disa libra, kryesisht në gjuhë të huaj, por dhe në gjuhën shqipe, të autorëve të mëdhenj të letërsisë botërore, mes tyre dhe disa nobelistë, që atëherë konsideroheshin si libra të verdhë. Si njohës i disa gjuhëve të huaja, veçanërisht i frëngjishtes, ai, për të perfeksionuar më tej gjuhën letrare frënge, kishte zgjedhur romanin “I huaji” të nobelistit francez Albert Kamy, një libër sa i vogël, aq dhe interesant, në qendër të të cilit qëndronte Mersoi, një antihero, sa i vërtetë aq dhe absurd, i cili e ndjente veten të huaj, jo vetëm për shoqërinë, por edhe për veten e tij. Që prej atyre kohërave të mjegullta survejimi, si në një ëndërr të frikshme më kishte mbetur në kujtesë sentenca ekzistencialiste e Albert Kamysë në këtë roman “Unë revoltohem, prandaj ekzistoj…”. Por, të flisje për revoltën e protestën, për diktaturën e kohës ishte njëlloj sikur të mbyturit t’i kujtoje litarin… S’kaluan ditë nga shfletimi i këtij libri të magjishëm, sigurimi i asaj kohe, në mëngjesin e hershëm të një dite ta prangoste atë djalë të mrekullueshëm me akuzën se jo vetëm lexonte libra të ndaluara, por dhe i shpërndante te shokët e tij. Për të argumentuar akuzën, na morën për të pyetur edhe ne shokëve të tij. Më vonë do të merrnim vesh se Idrizi, shoku ynë më i mirë, për shkak se kishte lexuar librin e nobelistit Kamy, “I huaji”, ishte dënuar me 3 vite burg. Kjo brengë e hershme ma shtoi më tej kërshërinë, jo vetëm për ta lexuar, por edhe për ta studiuar thellë magjinë e këtij arti të rrallë. Shumë vite më vonë lexova librin “Udhëtimi i mrekullueshëm i Nils Holgersonit” të nobelistes suedeze, Selma Langerlof, ndërsa më vonë novelën “Plaku dhe deti” të nobelistit të guximit, Ernest Heminguej. Brendia e thellë humane dhe arti i tyre i rrallë do të më nxiste më tej për studimin e autorëve të tjerë. Kur e pashë se shënimet për këta leaureatë të çmimit “Nobel” ishin bërë shumë, më lindi ideja që t’i përmblidhja në një libër të veçantë, që do ta titulloja “Nobelistët”.

Cilat ishin disa nga kriteret që përdorët për ndërtimin e strukturës së librit dhe renditjen e autorëve, pasi libri yt të rrëmben bukur në narrativën e tij?

Në këtë libër janë përzgjedhur 27 nobelistë, nga e gjithë harta e botës, gjinitë, llojet, rrymat letrare dhe kohërat, kryesisht ata që kanë marrë këtë çmim të lartë dekadat e vitet e fundit. Për t’i bërë sa më tërheqës për lexuesit, shënimet për secilin nobelist, i shkrova në formë esesh dhe sprovash letrare. Në çdo shënim eseistik, janë përmbledhur detaje për momentet kryesore të jetës së secilit nobelist; veprimtaria letrare; çmimet e marra; ç’ka shkruar shtypi i kohës dhe personalitete të shquara për ta; ç’kanë thënë ata vetë ditën e marrjes së çmimit në Stokholm, dhe analiza e hollësishme artistike e njërës prej veprave më të mira të secilit nobelist, kryesisht për veprën që ata janë vlerësuar me çmimin “Nobel”, etj. Renditjen e emrave të nobelistëve e kam bërë sipas vitit që ata janë nderuar me këtë çmim të madh, duke filluar nga më të hershmit deri te më të rinjtë. Patjetër që në krye të librit do të vendosja babanë e tyre, “mbretin e dinamitit”, Alfred Nobelin, gjeniun, që me emrin e tij pagëzoi shumë njerëz të rrallë të shkencës të letërsisë dhe paqes. Ndërsa të dytin kam vendosur suedezen, Selma Langerlof, gruan e parë nobeliste në botë, që e mori këtë çmim në vitin 1909, deri te nobelisti polemik, Peter Handke, i cili është vendosur në fund, për shkak se këtë çmim e ka marrë në vitin 2019.

Cilat janë disa nga tiparet kryesore të përbashkëta të shkrimtarisë së nobelistëve të të gjitha kohërave, që të kanë frymëzuar që të shkruaje këtë libër?

Gjatë hulumtimeve dhe analizave kam arritur në mendimin se krijimtaria artistike e nobelistëve ka disa tipare të përbashkëta, që i bën të dallohen nga të tjerët. Ato janë: karakteri universal, vlerat e papërsëritshme artistike, novatorizmi dhe tejhumanizmi. Krijimtaria e tyre dallohet jo vetëm për metaforat magjike dhe metamorfozën, por edhe për tejkalimin e shtypjes dhe tiranisë. Në qendër të brendisë së veprave të tyre qëndron universi, në hullitë e të cilit rend njeriu i vërtetë dhe jo i idealizuar, që na bën të mendojmë dhe të veprojmë të qeshim dhe të qajmë bashkë me të. Është kjo arsyeja, që ai na dhimbset kur bëhet viktimë e shtypjes dhe e përndjekjeve të titanëve të diktaturave e të sistemeve burokratike.

Nga pozitat e lexuesit që shijojmë letërsinë, të gjithë kanë ndonjë shkrimtar të preferuar. Po ju personalisht, cilin prej tyre keni më të preferuar dhe pse?

Më ka mahnitur, veçanërisht, magjia e gjuhës së nobelistit turk, Orhan Pamuk, me të cilën i këndon dashurisë, në romanin “Muzeu i pafajësisë”. Në të vërtetë, janë të shumtë nobelistët e këtij libri që më kanë emocionuar, sepse secili prej tyre i sjell artit dhe letërsisë botërore një aspekt të veçantë e të papërsëritshme nga të tjerët. Kështu, nobelistja Selma Langerlof shquhet për artin, me të cilin ajo nxit kërshërinë fluturake të fëmijëve. Tomas Eliot ngre problemin e shpëtimit të njeriut nga të këqijat e botës tokësore; Ernest Heminguej i thur himn pathyeshmërisë dhe guximit të njeriut përballë vështirësive; Euxhenio Montale i këndon çlirimit të njeriut nga skllavëria; Markes kërkon të shpëtojë njeriun nga ankthi dhe vdekja pa kuptim; Golding, kërkon të shkulë nga zemra e njeriut errësirën e shpirtit, Herta Myler zbulon tmerrin e urisë së të internuarve në kampet çnjerëzore staliniste; Mario Llosa tregon fundin grotesk të diktaturave çnjerëzore në botë; Mo Yan zbulon klithmat e fëmijëve të vrarë në barkun e nënave; Olga Tokarczuk, duke i kënduar humanizmit tejnjerëzor, botën e sotme e quan një burg të mbushur me vuajtje….

Si studiues e kritik letrar që në vitet kur studioje në auditorët e universitetit, ç’mund të na thuash për ndikimin e kryeveprave të letërsisë botërore në letërsinë shqipe?

Ndikimi i letërsisë së huaj në letërsinë shqipe ka nisur që herët. Kështu, Rumi ka pasur një ndikim të fuqishëm te Naimi. Nobelisi italian Montale vërehet se ka një farë ndikimi në poezinë e Serembes. Por ka pasur periudha, si ajo e letërsisë së viteve ‘30-të, ku nuk shfaqej asnjë ndikim nga letërsia botërore. Edhe pse problematika dhe fryma e kohës i bashkonte, i ndante këndvështrimi që mbanin poetët shqiptarë të atyre viteve, ndaj realitetit, në raport me kohën. Kështu, Koliqi, i kushtonte më shumë rëndësi përpunimit stilistik të gjuhës sesa brendisë. Hapja e kufijve, do të krijonte një klimë të re, jo vetëm për lëvizjen e njerëzve e kapitaleve, por dhe të kulturave. Kjo do t’i shërbente jo vetëm integrimit kulturor, por edhe ndikimit reciprok ndërkombëtar të artit dhe të letërsisë. Patjetër që kryeveprat dhe autorët e mëdhenj të letërsisë botërore duke ardhur e përkthyer dhe e ekranizuar, do të sillte patjetër dhe ndikimin e saj pozitiv në zhvillimin e artit dhe letërsisë sonë. Jo vetëm poezia, por dhe proza e dramaturgjia e autorëve tanë e ka treguar veten të matet dhe me majat të letërsisë botërore.

Sot po flitet gjithmonë e më shumë për krizën e leximit, por gjithsesi nobelistët janë ata që i lexojnë të gjithë, qoftë edhe një herë në jetë. Ku qëndron magjia e veprave të tyre që i tërheq edhe lexuesit, që nuk kanë ndonjë lidhje të fortë me letërsinë?

Magjja e krijimtarisë së nobelistëve qëndron jo vetëm te temat e mëdha dhe me peshë që trajtojnë, por edhe te vlerat universale, karakteri unik, gjuha e gjallë, mënyra se si i zgjidhin konfliktet, gjuha emocionale dhe shpesh fundi i dhimbshëm e plot vuajtje i personazheve.

Shkrimtarja dhe përkthyesja Diana Çuli, shoqja juaj e universitetit, ka shkruar parathënien e librit tuaj “Nobelistët. Si ish-studentë të Ismail Kadaresë dhe emrave të njohur të letrave, çfarë keni mësuar qysh në atë kohë për artin e të shkruarit të asaj që konsiderohet “letërsi elitare”?

Kemi pasur fatin që pedagogët tanë si: Shaban Demiraj, Mahir Domi, Remzi Përnaska, Jani Thomai, Ismail Kadare, Jakov Xoxe, Fatos Arapi, Myzafer Xhaxhiu, Nexhip Gami, Zihni Sako, Qemal Haxhihasani, etj., ishin personalitete të mëdha të artit të letërsisë, gjuhësisë dhe pedagogjisë shqiptare. Dhuratën më të vlefshme që ata na falën ishte shembulli krijues dhe pasionin për t’u marrë me punë krijuese. Së dyti, ata na mësuan jo vetëm se çfarë duhet të mësonim, por edhe si t’i vinim ato njohuri në shërbim të profesionit tonë dhe të punës krijuese.