Saimir Tahiri reagon për herë të parë pas lirimit nga burgu

Sot ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri u lirua nga burgu. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka bërë reagimin e parë publik, duke u shprehur:

“Do vazhdoj te kërkoj drejtësinë, siç kam bërë deri më sot. Të falenderoj me zemër ty, që ke besuar gjithmonë te gjithcka jam, e kam bërë unë! Faleminderit dhe ty që ke gënjyer gjithmonë, duke me kujtuar çmimin e së vërtetës”.

Më tej, vijoi:

“Pata mundësi të njihja padrejtësinë përballë. Tani kam mundësinë të kërkoj të drejtën pa kursim! Faleminderit pa masë te gjithëve!”.

Shkak i lirimit të ish-ministrit ishin 2 ekspertiza të kryera, të cilat arsyetuan se pse Tahiri nuk duhet të vijonte qëndrimin në qeli.

Në njërën ekspertizë thuhet se Tahiri ka probleme shëndetësore, ndërsa në akt ekspertizën e dytë, shpjegohet se bashkëshortja e ish-ministrit nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe për pasojë, nuk ka kush të kujdeset për fëmijët.

Tahiri u dënua më 4 shkurt të vitit 2022 me 5 vite burg për “Shpërdorim detyre”, por me gjykim të shkurtuar dënimi u ul në 3 vite e 4 muaj.

Tahiri u dënua vetëm për “Shpërdorim detyre”, pasi u rrëzuan akuzat për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.