Rrëfehet Alessio Alia: Jeta ime si baba i tre fëmijëve përtej virtualitet, për mua lumturia nuk njeh moshë apo kohë

Për Alessio Alian, e shkuara i përket jetës si model, e tashmja botës së muzikës, dhe e ardhmja shijimit të suksesit të një jete plot bekime, nga Shqipëria deri në Australinë e largët. Tashmë baba i lumtur i tre fëmijëve nga lidhja e dashurisë me Katherine, këto ditë ndodhet në Tiranë për angazhimet profesionale të radhës. Për jetën private dhe planet në karrierë, Alessio flet në këtë intervistë për revistën “Story”.

Nga Klotilda Harka

Sërish ndodhesh në Shqipëri. Sa e vështirë është distanca me familjen, që aktualisht ndodhet në Australinë e largët?

Është e vështirë, ngaqë fëmijët i kam ende të vegjël dhe janë në atë moshë që ke dëshirë t’i shohësh duke u rritur. Por në këtë moment është e nevojshme të lëviz për punë dhe për projektet në vijim. Gjithashtu ndihem mirë, të çmallem me familjarët në Shqipëri!

Je frymëzim për shumë njerëz, pasi duket se ke gjithçka që duhet të ketë një djalë i realizuar. Është vërtet jeta jote kaq përrallore sa duket nga jashtë?

Të jesh frymëzim i mirë për ata që të duan dhe të vlerësojnë është një fakt që të jep forcë dhe shtysë çdo ditë e më shumë për jetën. Ndërkohë ta jetosh jetën realisht, nuk është aq përrallore si paraqitet virtualisht. Në jetë ka shumë sfida që duhen përballuar, dhe ato vështirësi nuk janë pjesa që publikohet.

Cilët janë miqtë e tu artistë që shoqërohesh, kur vjen në Tiranë, dhe cilët menaxhon në karrierë?

Në jetën time tani kam shumë njerëz që me kohë kanë arritur të bëhen miq, dhe janë ata që meritojnë kohën dhe përkushtimin tim. Në Shqipëri kam një grup shokësh, edhe shoqërorë gjithashtu edhe në aspektin profesional, si; Dj Sardin , Dj Adam Reeves (Ilirin), apo Jonida Maliqin, me të cilët kemi realizuar dhe po vazhdojmë të zhvillojmë projekte të reja së bashku.

Disa këngëtarë i ke çuar edhe në Australi për të performuar për publikun. Cilët janë këngëtarët e radhës që do çosh atje?

Për të performuar përsëri do të jenë; Ledri Vula, Elvana Gjata, dhe Noizy. Në vazhdimësi përveç tyre, do të jetë edhe Dhurata Dora.

Po emra të mëdhenj botërorë që do i sillje në Tiranë, ka?

Janë të shumtë, por këtë herë kam vendosur të jem sa më diskret, sepse më ka ndodhur që kur i kam ndarë këto ide me të tjerë, dashje pa dashje i kanë shfrytëzuar për përfitimet e tyre.

Sa i përket jetës private je baba i lumtur i tre fëmijëve, dhe fotot që poston me familjen bëjnë vërtet përshtypje. Do e zgjeroni më tej familjen?

Ndihemi mirë kështu dhe jam mirënjohës Zotit! Numri magjik për mua është treshi.

Duke qenë se e njeh mirë edhe prapaskenën e jetës së të famshmëve, do i bësh fëmijët e tu të famshëm?

Fama nuk është aq bukur se sa reflektohet nga jashtë. Unë thjesht do t’u mundësoj hapësirat që kam në dispozicion, që më pas ata të marrin vendimet e tyre në zgjedhjet që do të bëjnë.

Gjithmonë ke jetuar dhe jeton brenda një trupi në formë e të skalitur. Që të mbash trupin në formë duhet të bëhesh rob i trupit apo i mendjes?

Si çdo gjë në jetë duhet të dish të mirëmbash balancën. Dhe nga eksperienca ime personale, 70% e arritjeve si forma fizike, është tek forca mendore.

Sa e mundur është që jo vetëm të jesh, por dhe të jetosh i lumtur në vitin 2022?

Ah lumturia! Ajo nuk njeh moshë apo kohë. Ajo vjen kur arrin paqen me veten tënde në radhë të parë, kur ke besim në aftësitë e tua. E gjithashtu të mos merremi shumë me jetën virtuale, që na simbolizon në ditët e sotme!

Dhe një pyetje e fundit, një burrë i pashëm dhe i suksesshëm si ty çfarë leksionesh jete mund të na japë?

Këshilla më e mirë që mund të jap personalisht është të investoni paratë dhe kohën tek vetvetja. Hapësirat vijnë në momente të ndryshme tek çdo person që të arrijë ato qëllime që ka për veten. Asnjëherë nuk është vonë për të rinisur nga e para! www.story.al