Rasti i parë në Përmet/ Pozitiv një nga emigrantët e karantinuar për 14 ditë

Në qarkun e Gjirokastrës u regjistrua sot personi i parë i prekur me Covid 19. Ai është një emigrant 52 vjeçar nga Ballshi që dje ishte karantinuar në Këlcyrë bashkë me një grup emigrantësh të tjerë. Ai ishte asimptomatik por mësohet se gjatë pritjes në pikëkalimin e Kakavijë për të hyrë në Shqipëri ka patur kontakt me shumë emigrantë të tjerë. Nga 26 personat e karantinuar në Këlcyrë rasti i këtij burri ishte i vetmi pozitiv ndërsa epidemiologët flasin edhe për një rast të dytë të dyshuar për të cilin do të përsëritet tamponi.

Ndërkaq i infektuari do të transportohet drejt karantinës në Kavaleshencë në Durrës ku do të mbahet në mbikëqyrje nga mjekët.

Gjithë personat e tjerë do të vazhdojnë karantinën në Këlcyrë pavarësisht gjendjes së rënduar psikologjike që shkaktoi kjo ngjarje.

Dhjetëra persona mes tyre personel shëndetësor, efektivë policie dhe personat që kanë realizuar transportin e emigrantëve drejt Këlcyrës do të testohen për Covid 19.

I gjithë qarku hyn në një situatë të re që prej ditës së sotme pasi një tjetër rast është i dyshuar në Gjirokastër. Bëhet fjalë për një të dënuar te burgu 313 i cili për shkak të masave të marra atje u zhvendos në Gjirokastër dhe ka patur kontakt me shumë persona. Atij i është marrë tampon dhe priten rezultatet.

Ndërkaq sot dolën nga karantina 25 persona nga Gjirokastra dhe Kakavijë ndërsa që prej mesditës së djeshme kanë hyrë 27 të tjerë. Opinioni publik ka qenë shumë i ndjeshëm ndaj kësaj ngjarje edhe për faktin se nuk u konsideruan kundërshtitë e banorëve për të mos lejuar karantinën në zona të paprekura në thellësi të qarkut të Gjirokastrës.

Top Channel