Pse jeta moderne nuk na bën të lumtur?

Iluzioni më i madh që na është shitur ndonjëherë nga reklamat moderne, nuk është se ne kemi nevojë të blejmë ujë në shishe apo se gurët janë “kafshët shtëpiake” më të mira. Përkundrazi, është iluzioni se duhet të presim të jemi të lumtur gjatë gjithë kohës.

Kjo ide do të përbënte me siguri lajm për paraardhësit tanë të lashtë. Gjatë miliona viteve, ata u bënë hominidët dominues në planet, sepse truri i tyre evoluoi për të qenë makina mbijetese, dhe jo gjenerues lumturie. Të qeshurat e para rreth atyre zjarreve të hershëm, nuk ndodhnin sepse të gjithë po ia kalonin mirë.

E qeshura evoluoi si një sinjal lidhjeje shoqërore për t’i komunikuar pjesës tjetër të fisit mesazhin: “Tani jemi të sigurt nga ai tigër me dhëmbët e mprehtë”. Dopamina, lënda kimike që na bën të ndihemi mirë, nuk ishte aty për t’i bërë ata të shijonin jetën e tyre, siç besojnë sot shumë prej nesh.

Dopamina u çlirua si kimikat për t’i nxitur ata të kërkojnë ushqime më ushqyese. Kur paraardhësit tuaj zgjoheshin çdo mëngjes duke u ndier të uritur, nivelet e dopaminës do të rriteshin për t’i motivuar të kërkonin një fole zogjsh, nga e cila mund të merrnin vezët apo një koshere bletësh nga e cila do të mblidhnin mjaltin, përveç manaferrave dhe arrave që kishin gjetur.

Por efekti i dopaminës është projektuar që të jetë jetëshkurtër. Pasi ata hëngrën ushqimet që gjetën dhe morën shpërblimin e një fluksi dopamine shtesë – së bashku me çlirimin e opioideve që i bënin sërish të ndiheshin mirë – këto nivele ranë shpejt dhe madje u ulën nën nivelin bazë.

Tek e fundit, nëse dopamina nuk do të binte sërish, ku do ta kishin gjetur motivimin e nevojshëm për të kërkuar vaktin e radhës? Studimet kanë zbuluar se një nga arsyet kryesore pse njerëzit e hershëm dominuan ndaj majmunëve të tjerë, është se ata kishin sasi më të mëdha të kësaj “molekule që na nxit për më shumë”.

Megjithatë, nëse sot keni kohë dhe para për të lexuar artikuj rreth lumturisë, ka të ngjarë që të keni një çati mbi kokë dhe ushqim të mjaftueshëm për vaktin tuaj të ardhshëm. Edhe nëse frigoriferi juaj përmban pak më shumë sesa një kavanoz me salcë makaronash të ndenjura dhe një karotë të vyshkur, me siguri që keni një supermarket aty afër.

Dhe nëse nuk ju pëlqen të përgatisni diçka vetë, ndoshta mund të porosisni çfarëdolloj pjate që doni, e cila mund të mbërrijë pas 1 ore në shtëpinë tuaj. Ndërsa paraardhësit tuaj shpenzuan rreth 80 për qind të jetës së tyre duke kërkuar ushqim, ju as që keni nevojë të ngriheni nga divani juaj.

Por përveç disa ndryshimeve të lehta për shkak të përzgjedhjes gjenetike gjatë viteve, ju keni në thelb të njëjtin tru si anëtarët e familjes suaj të lashtë, dhe që funksionon përmes të njëjtit sistem shpërblimi. Dhe kjo përkundër faktit se mjedisi në të cilin jetojnë njerëzit modernë ka ndryshuar shumë.

Ekonomitë tona të shekullit XXI, janë ndërtuar tërësisht rreth produkteve dhe shërbimeve të krijuara për t’ju dhënë atë që dëshironi, kur e dëshironi, dhe në këmbim të thuajse asnjë lloj përpjekjeje. Ne presim që një furnizim i qëndrueshëm i gjithçkaje që është vetëm një trokitje larg, të na bëjë të ndihemi mirë: qoftë muzikë, film apo ushqim.

Problemi është se lumturia është krijuar për të qenë një gjendje kalimtare dhe jo e vazhdueshme gjatë gjithë kohës. Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, ne e kemi ditur instinktivisht këtë gjë. Vetëm pas krijimit të Botës së Re në Amerikë, lumturia u mishërua si diçka që duhet ta shijojmë gjatë gjithë kohës.

Ndërsa nevojat tona po plotësoheshin më lehtë në shoqëritë e industrializuara, lumturia u pa si një mall që mund të blihej. Kjo qasje u shfrytëzua nga industria e reklamave, e cila na shiti menjëherë produkte me premtimin se sa të lumtur do të na bënin.

Ndërsa televizioni u përhap nëpër shtëpi në vitet 1950, kanalet televizive transmetonin reklama ku shfaqeshin gra shtëpiake të buzëqeshura për blerjen e makinave larëse, sikur lumturia e tyre të varej prej tyre. Gjatë dekadave të ardhshme, ideja se lumturia mund – dhe duhet – të jetë një gjendje e qëndrueshme, nga e cila nuk kemi nevojë të devijojmë, u përforcua nga të qeshurat e bashkëngjitura serialeve komike dhe fytyrat e buzëqeshura të stampuara në distinktivë dhe bluza.

Meqë më shumë njerëz mund të përballonin blerjen e një aparati fotografik, udhëzimi standard kur pozonit për një foto ishte të buzëqeshni, dhe të dukeni sikur po e shijoni çdo moment. Ndërsa feja u bë një pjesë më pak e rëndësishme e jetës së shumë njerëzve, ata nuk e prisnin më lumturinë në jetën tjetër.

Përkundrazi e donin atë tani dhe filluan të shkonin gjithnjë e më shumë tek psikologu për t’u treguar atyre pse nuk ishin të lumtur. Sa më shumë fitonim materialisht, aq më shumë besuam se e meritonim emocionalisht. Komoditeti i botës moderne, nisi që të na mashtronte duke menduar se lumturia e arritur lehtë ishte një e drejta jonë që në lindje.

Kur gjithçka ju sigurohet me shumë pak përpjekje, nuk është për t’u habitur që ky sistem mbingarkohet dhe bën “masë”. Nëse kemi shumë kënaqësi ne e kthejmë ekuilibrin në një gjendje të mungesës së dopaminës. Niveli ynë bazë për kënaqësi, mund të vazhdojë të bjerë. Kur gjithçka është krijuar për të qenë e këndshme, asgjë nuk përjetohet shumë mirë. Prandaj, nuk duhet të jetë befasi që pavarësisht nga të gjitha lukset dhe komoditetet e saj, jeta moderne nuk na bën aq të lumtur sa mund ta prisnim. Shëndeti mendor në të gjithë botën është në përkeqësim e sipër, pjesërisht për shkak se sistemi ynë i shpërblimit, i kalibruar imtësisht, është kthyer kundër vetvetes, duke na vendosur më shumë prej nesh në një gjendje ‘anhedonie’ pra humbje të motivimit, të cilin unë e kam trajtuar në librin e parë popullor mbi këtë temë.

Ne do t’ia kalonim shumë më mirë nëse do t’i kujtonim vetes se lumturia nuk supozohej të ishte kurrë një gjendje e përhershme mendore. Të jetosh në shekullin XXI-të me një tru parahistorik të papërputhshëm me realitetin, nuk do të thotë se nuk mund të arrihen momentet e gëzimit.

Por nëse duam që të përmirësojmë gjendjen e shëndetit tonë mendor, që duket se po përkeqësohet me çdo brez, do të na ndihmojë përballja me faktin se lumturia kërkon pak më shumë përpjekje të vetëdijshme sesa jemi nxitur të besojmë deri më sot./ Pershtatur nga CNA