Plotësohet kërkesa e maturantëve, ministrja Kushi: ‘Do të ulet kufiri minimal për çdo notë’

Duke qenë se protestat e maturantëve vijojnë ende, ministrja Evis Kushi ka reaguar sërish përmes një video-mesazhi në lidhje me shqetësimet e tyre.

Sipas ministres së Arsimit, pas provimit të matematikës janë ngritur grupe pune të pavarura, me ekspertë të fushës së matematikës, mësues me përvojë dhe maturantë, të cilët kanë analizuar në detaje dhe vlerësuar me shumë vëmendje çdo pyetje në test, përputhshmërinë me programin, saktësinë shkencore dhe nivelin e vështirësisë.

“Nisur nga shqetësimet e maturantëve, mësuesve, prindërve, dhe pa dyshim duke konsideruar situatën e një viti jo- normal e të vështirë të pandemisë, ku pavarësisht se maturantët në të gjithë vendin kanë qenë çdo ditë në mësim në shkollë, përveç 10 bashkive me risk të lartë ku për 6 javë mësimi u zhvillua online, kemi vendosur të plotësojmë kërkesën e maturantëve për të ulur kufirin minimal të pikëve për çdo notë.”– u shpreh Kushi.

Në fjalën e saj, ministrja Kushi siguroi se pas përfundimit të Maturës Shtetërore 2021, Ministria e Arsimit do të shohë dhe analizojë me kujdes gjithë problematikat e mundshme dhe rishikimin e plotë të të gjithë procesit.

Nga ana tjetër, maturantët janë edhe skeptikë edhe pas kësaj deklarate, duke i kërkuar Ministrisë së Arsimit “diçka konkrete”.

“Jemi të pakënaqur, nuk është diçka konkrete. Sa do ulen pikët? Deri tani janë fjalë, duam diçka konkrete. E duam më konkrete dhe mundësisht brenda ditës së sotme. Deri tani ky është mendimi.” -tha një maturante për Abc News.