Përqafime të shtirura, Ukraina dhe Rusia më në fund po shkojnë drejt paqes

Ministrat e Jashtëm nga Rusia dhe Ukraina do të takohen në Turqi të enjten (10 mars) në bisedimet e para të nivelit të lartë midis dy vendeve që kur Moska ndërhyri drejt fqinjit të saj, me Ankaranë që shpreson se ato mund të shënojnë një pikë kthese në situatën e ndezur atje.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba ka “zbutur” pritshmëritë për një marrëveshje ose rezultate të tjera nga takimi me homologun rus Sergei Lavrov, në margjinat e një forumi të diplomacisë në provincën jugore të Turqisë, Antalia.

Ndërhyrja e Rusisë ka zhvendosur më shumë se 2 milionë njerëz në atë që Kombet e Bashkuara e quajnë krizën më të shpejtë humanitare në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Anëtari i NATO-s, Turqia kishte ofruar në mënyrë të përsëritur të ndërmjetësojë mes palëve dhe do të presë dy diplomatët e tyre kryesorë pas disa javësh përpjekjesh ndërmjetësimi nga fuqitë botërore.

Kuleba i kërkoi Lavrov-it që t’i qaset bisedimeve “me mirëbesim, jo nga një perspektivë propagandistike”, shkruan Euractiv. “Unë do të them sinqerisht se pritjet e mia nga bisedimet janë të vogla”, tha Kuleba në një deklaratë video të mërkurën.

“Ne jemi të interesuar për një armëpushim, për çlirimin e territoreve tona dhe pika e tretë është zgjidhja e të gjitha çështjeve humanitare”. Moska në anën tjetër ka thënë se është e gatshme për bisedime me Ukrainën, por se të gjitha kërkesat e saj – duke përfshirë që Kievi të marrë një pozicion neutral dhe të heqë dorë nga aspiratat për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s – duhet të përmbushen për t’i dhënë fund situatës.

Ndryshe, delegacionet nga të dy vendet kanë mbajtur tri raunde bisedimesh më parë, dy në Bjellorusi dhe një në Ukrainë. Pavarësisht disa shenjave pozitive në aranzhimet humanitare, ato negociata kanë pasur pak ndikim.