Përplasje për drogën në shtëpitë e barit në Angli, kush është VIP-i i “Kafazit të Artë” që i vendosi gjobë 150 mijë euro qytetarit

Një tjetër histori përplasjesh të forta mes shqiptarësh që jetojnë e punojnë jashtë vendi është transferuar drejt vendit tonë. Sërish është në qendër konflikti për drogën, por kësaj here nuk bëhet më fjalë për vjedhje të lëndës narkotike po për largim nga vendi i punës i një emigranti, i cili iu ka braktisur punën të ‘zotëve’.

Mirëpo, ndërsa të zotët e shtëpisë së barit kanë udhëtuar në drejtim të Tiranës për të gjetur familjen e të punësuarit, është kjo e fundit që ka kërkuar ndihmë në policinë e Tiranës, duke bërë me dije se jo vetëm nuk ka ku ta marrë shumën që kërkojnë personat, por edhe nuk e di se çfarë ka ndodhur mes tyre. Në lëvizje është vënë Komisariati nr. 6 në Tiranë ndërkohë që denoncuesi, që është familjar i afërt i personit të kërcënuar, banon në zonën e Yzberishtit. Policia ka ndërhyrë në Kombinat për të arrestuar njërin nga personat e akuzuar ndërkohë që një person tjetër është shpallur në kërkim. Policia saktëson se bëhet fjalë për dy të rinj nga Shkodra, njëri prej të cilëve, konkretisht i arrestuari, është person me rekorde të theksuara kriminale.

POLICIA PËR NGJARJEN

Sipas të dhënave, bëhet me dije se personi i shpallur në kërkim për ngjarjen e rëndë është një emër i njohur mediatikisht, ish-pjesëmarrës në reality-shown “Kafazi i Artë”. Bëhet fjalë për Omer Brajën, i cili tashmë është nën akuzën e rëndë të vënies së gjobës, ndërkohë që në pranga u vu Vasel Koçeku, Mësohet se Braja po kërkohet nga policia, pas denoncimit të personit, të cilit Braja së bashku me një shokun e vet, i kanë kërkuar 150 mijë paund. Gjobëvënia e Brajës është bërë së bashku me mikun e vet nga Shkodra, Vasel Koçeku, i cili aktualisht është arrestuar nga policia si person i dyshuar për veprën penale të “Shtrëngimit me anë të kanosjes me qëllim marrjen e pasurisë”. Koçeku është një emër i njohur për policinë kriminale, pasi rezulton me precedentë penalë dhe në qershor të 2020 ai i ka shpëtuar një tentative vrasjeje në Shkodër. Aso kohe policia bëri me dije se e shpalli në kërkim autorin e ngjarjes dhe se sherri kishte ndodhur për motive të dobëta!

Mësohet se ndaj Omer Brajës dhe mikut të tij, Vasel Koçeku, disa ditë më parë kishte depozituar denoncim në polici një qytetar me banim në zonën e Yzberishtit. Personi ka pretenduar se dy persona, që i janë prezantuar si Omer Braja dhe Vasel Koçeku, e kanë kërcënuar me jetë nëse ai nuk i jepte sasinë prej 150 mijë paund. Qytetari i ka treguar Policisë se këtë shumë jo vetëm që nuk e dispononte, por njëherësh ai ka pohuar se konflikti është transferuar nga Anglia në Tiranë. Kjo, pasi sipas tij, Omer Braja dhe Koçeku kanë pasur mosmarrëveshje me një të afërmin e tij që banon në Angli, për shkak të një sasie droge të kultivuar në shtëpitë e barit.

Në pamundësi për të ia marrë atij shumën financiare prej 150 mijë paund, Braja dhe Koçeku, kanë ardhur në Tiranë, duke kërkuar përmes presionit paratë. I ndodhur në një situatë të tillë, qytetari i është drejtuar komisariatit Nr.6, duke depozituar kallëzimin penal. Pas hetimeve të kryera dhe me prokurorinë e Tiranës, policia mundi të lokalizojë dhe arrestojë Vasel Koçekun. Ndërsa miku i tij, Omer Braja, nuk është arritur të gjendet e për pasojë Policia tashmë e ka shpallur në kërkim.