Përdoruesit e drogës, të prirur për t’u përfshirë në krime

Përdoruesit e hershëm të lëndëve narkotike, janë të prirur të përfshihen në krime për shkak se varësia e tyre ndaj drograve i nxit ato të shfaqin sjellje të dhunshme.

I tillë ishte dhe rasti i 36-vjeçarit, Jonis Mazllëmi në Korçë, i cili paraditen e së enjtes plagosi dy persona me thikë dhe pas arrestimit rezultoi nën efektin e lëndëve narkotike.

Duke iu referuar kësaj ngjarje dhe autorit të saj, mjekja psikiatre në Qendrën e Shëndetit Mendor Korçë, Nikolina Bode thotë se 36-vjeçari njihet si përdorues dhe se sipas saj, mostrajtimi i varësisë që ai ka e ka shtyrë të përfshihet në krime.

“Problemi fillestar i tij kanë qenë substancat dhe këto të patrajtuara përgjatë kohës, në moshën e hershme japin tiparet e personalitetit anti-social, deformojnë individin duke dhënë komorbide sëmundjet mendore.”

Duke i konsideruar këta persona si risk për komunitetin, psikiatria thotë se trajtimi i tyre kërkon reagim dhe ndihmë jo vetëm familjare por edhe sociale.

“Kur ngjarja apo vepra penale ndodh dhe ne reagojmë, jemi vonë, prandaj ndihma duhet dhënë hershëm”.

Në gjashtë muajt e fundit, 7 persona me probleme të shëndetit mendor janë shoqëruar në Komisariatin e Korçës për mbajtje të mjeteve të mprehta apo prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe 7 të tjerë janë proçeduar për dhunë në familje.

Tv Klan