Pelikanët e ngordhur nga gripi i shpendëve në Prespë/ Drejtori i Shërbimit Veterinar: E gjithë zona në karantinë! Priten përgjigjet e analizave për shpendët e tjerë

DHORJELA ÇULE/ Tre pelikanë kaçurrelë, të cilët u gjetën pak ditë më parë të ngordhur në ujërat e liqenit të Prespës së Vogël, shënojnë rastin e parë të shpendëve të ngordhur nga gripi në qarkun e Korçës.

Në 17 mars, punonjësit e ADZM (Administratës Rajonale të Zonave të Mbrojtura) konstatuan në afërsi të kufirit ujor me Greqinë në liqenin e Prespës së Vogël 3 pelikanë të ngordhur, ndërkohë që u morën mostrat dhe u dërguan për analiza në Tiranë. Rezultati konfirmoi se bëhej fjalë për gripin e shpendëve, ndërsa autoritetet vendosën të gjithë zonën në karantinë, për të shmangur çdo risk të mundshëm, edhe pse deri tani nuk ka raste të shpendëve shtëpiake të infektuar në zonat përreth.

Ajo që mbetet ende e paqartë është nëse kemi të bëjmë me pelikanë që kanë ngordhur në anën greke të liqenit dhe dallgët i kanë sjellë në ujërat shqiptare apo nëse ata kanë ngordhur në pjesën tonë të liqenit, por gjithsesi pas konfirmimit të rastit, situata po monitorohet nga institucionet. Fatmir Ozuni, drejtori rajonal i shërbimit veterinar Korçë, tha se në qarkun e Korçës deri më tani nuk është shfaqur asnjë rast i influencës aviare.

“Ka një rast të diagnostikuar të pelikanit kaçurrel në liqenin e Prespës së Vogël. Sipas analizave të kryera, ky shpend ka rezultuar i prekur nga gripi i shpendëve. E gjithë zona përreth është shpallur zonë risku, duke krijuar kështu kushtet e karantinimit. Në përditshmëri jemi në komunikim me fermerët e kësaj zone, si dhe janë kryer analiza të shpendëve në këtë zonë dhe jemi në pritje të përgjigjeve.

Masat konkrete që ne kemi marrë si drejtori janë: shpallja zonë risku, kemi ndaluar futjen dhe daljen e shpendëve nga oborri. Në bazë të njohurive të mia, ka mundësi që shkalla e infeksionit të rritet në rast se nuk merren masa.Ne po përpiqemi në maksimum që kjo të mos ndodhë”, tha ai.

Ndërkohë, në fshatin Zagradeç, një prej fshatrave buzë liqenit, një pjesë e banorëve kanë nxituar për t’i vaksinuar shpendët, teksa janë marrë edhe analiza, të cilat janë dërguar në laborator dhe pritet përgjigjja. Njoftimi është bërë disa kohë më parë nga pala greke, që në zonën ku kanë edhe folezimin janë konstatuar disa pelikanë të ngordhur. Mbas ekzaminimit që kanë bërë ata vetë, na kanë njoftuar se bëhej fjalë për gripin e shpendëve. Menjëherë janë bërë njoftimet, por edhe intensifikuar monitorimet, ndërsa para 2 ditësh janë konstatuar 3 individë të ngordhur.

Njëri prej tyre është marrë nga ana jonë dhe është çuar në Institutin Veterinar për analiza dhe është konfirmuar se kishte ngordhur nga gripi i shpendëve. Dyshimet janë se këta pelikanë mund të jenë sjellë të ngordhur nga pjesa greke nga dallgët dhe era”, tha Olsi Duma, specialist i ADZM. “Për fat të mirë, jemi në periudhë folezimi dhe nuk kemi shtegtim në masë të pelikanëve që ta transmetojnë edhe në zona të tjera. Nëse marrim masa, ne mund ta frenojmë përkeqësimin e kësaj situate”, përfundoi ai.

Ministria konfirmon gripin e shpendëve në Prespë, masat e marra

Praninë e gripit të shpendëve e konfirmoi ditën e djeshme edhe zv.ministrja e Bujqësisë, Ermira Gjeci. “Kemi një rast të konfirmuar të pelikanit në zonën e Prespës; pelikanët janë konstatuar më parë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut. Sapo kemi marrë njoftimin, filloi në zbatim plani i kontigjencës, monitorimi dhe krehja e zonës. Në monitorim u identifikua një pelikan i ngordhur dhe rezultoi pozitiv.

Nuk kemi vatra të tjera, po vijojmë monitorimet, rastet e dyshimta vijnë në ISUV. Deri tani jemi në terren, duke monitoruar, në të gjithë vendin dhe rezultatet raportojnë që nuk kemi raste të evidentuara”, deklaroi zv.ministrja Gjeci. Banorët e fshatit Zagradec pohojnë se nuk kanë ende raste, por nga ana tjetër, kanë nisur t’i vaksinojnë dhe të kujdesen vetë për pulat. Grupe të shumta kontrolli janë ngritur në terren për të monitoruar situatën, ndërsa janë dërguar edhe disa raste për analiza, për të cilat pritet përgjigje.