Pas veprimit të kompanive të famshme, Kanye West nuk është më miliarder

Në vetëm dy javë, Kanye West është braktisur nga kompania që e përfaqësonte, markat e modës si Balenciaga dhe Adidas dhe partneritete të tjera për shkak të komenteve të fundit fyese për njerëzit me ngjyrë dhe hebrenjtë. Ai nuk është më në listën e miliarderëve të Forbes.

Forbes deklaroi se vlera neto e pasurisë së tij shkoi nga $1.5 miliardë dollarë në $400,000. 400 milionë dollarët e mbetura të vlerës së tij neto vijnë nga pasuritë e paluajtshme, paratë e gatshme, muzika dhe 5% e aksioneve në firmën e ish-bashkëshortes Kim Kardashian, Skims.

Pas Balenciaga-s, Adidas i dha fund partneritetit me Kanye-n, gjë që i kushtoi atij statusin e miliarderit. Në deklaratën zyrtare, Adidas u shpreh se nuk toleron asnjë lloj gjuhë urrejtjeje dhe i etiketoi komentet e Kanye-s si “të papranueshme, të mbushura me urrejtje dhe të rrezikshme”.

Kanye është diagnostikuar me çrregullim bipolar dhe ka folur për sëmundjen e tij, megjithëse ekspertët mjekësorë dhe avokatët paralajmërojnë se komentet e tij dhe betejat për shëndetin mendor janë probleme të veçanta.

Nuk është hera e parë që Kanye përballet me polemika. Që nga viti 2016, ai është përballur me një sërë kritikash: për shkak se ka mbështetur publikisht Donald Trump; ka thënë se “skllavëria është zgjedhje”; është fotografuar në publik me një bluzë “White Lives Matter”; tha se hebrenjtë kontrollojnë financat botërore dhe mediat etj.