Pas 5 vitesh, Jehona Sopi rikthehet në “Kënga Magjike”

“Kënga Magjike” sapo ka nisur dhe sigurisht vëmendja kryesore e jona nuk është ende tek gara por tek cilët artistë do të prezantohen këto dy muaj në “E diela Shqiptare“ për t’i lënë më pas vend netëve gjysmëfinale dhe finale në javën e parë të dhjetorit në Pallatin e Koncerteve, siç e quan producenti Ardit Gjebrea.

Ndonëse janë përfolur disa emra për këngëtarët që garojnë në kategorinë “big”, News31.al zbulon një ndër më të veçantat. Burime pranë redaksisë së News31.al konfirmojnë se do të ketë një rikthim të këngëtares Jehona Sopi, e cila pjesëmarrjen e fundit në këtë kompeticion e pati 5 vite më parë ku na emocionoi të gjithëve me këngën “Të shkuara“, një baladë e cila u vlerësua edhe me një çmim por më së shumti fitoi duartrokitjet e publikut.

Duke njohur profilin e Jehona Sopit, ne presim një tjetër baladë shpërthyese megjithatë ajo mund të na surprizojë edhe duke dalë tërësisht nga habitati i saj në muzikë. Fundja në “Kënga Magjike” ndodhin këto surpriza.