Pas 28 orësh në det duke notuar nga Otranto në Vlorë, Eva Buzo ndërpret sfidën!

Probleme shëndetësore për Eva Buzon që sot pritej të mbërrinte me not në Vlorë e ndodhej disa milje larg Karaburunit, në det të hapur, por u detyrua të ndërpriste gjithçka. Kripa i shkaktoi vështirësi në të folur dhe u mësua se u pickua nga një kandil, por fillimisht refuzoi të ndalej pavarësisht këshillës së ekipit që e ndjek për të ndërprerë sfidën e nisur me vendosmëri. Por, nuk kishte alternativa e në fund u detyrua ta përfundonte pa arritur në destinacion dhe u dërgua në spital.

Avokatja shqiptare, e cila jeton në Australi vendosi të përshkojë me not distancën prej 91 km nga Otranto për në Vlorë. Në ditët e izolimit nga pandemia e koronavirusit, këtë distancë mes Italisë e Shqipërisë e pa si më të mundshmen për të notuar.

Më herët në një intervistë për mediat shqiptare, 35-vjeçarja, e cila u bë gruaja e parë që tentoi të kalonte me not kanalin e Otrantos, theksonte se “janë 91 kilometra e është hera e parë që ndërmerret një iniciativë e tillë dhe është certifikuar nga maratona ndërkombëtare”.

Eva kishte një dëshirë të madhe, të cilën e lidhte me familjarët e saj që janë në vendin tonë.

Dëshira më e madhe e imja është që të mbërrij në bregdetin shqiptar dhe të pritem me përshëndetje nga familjarët që jetojnë në Shqipëri.

Rekordi i saj është 25 orë dhe 90 minuta, i vendosur korrikun e kaluar në Gjenevë të Zvicrës, në një liqen.

Eva Buzo ka lindur në Australi, por lidhja që ka me Shqipërinë është shumë e fortë, edhe pse nuk flet shqip. Ajo është angazhuar masivisht me problematika sociale, në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ka përvoja pune në Afrikën Lindore, Azinë Jugore e Australi, për organizata të ndryshme duke përfshirë World Vision e Save the Children.

Një ditë më parë, kryeministri Rama i bëri jehonë përshkimit me not që Eva tentoi t’i bënte distancës nga Otranto për në Vlorë, duke e quajtur “sensacionale”.

Top Albania Radio