PAMJE TË RËNDA/ Shuhet familja me katër anëtarë në aksidentin tragjik. Mes viktimave edhe dy vajza të mitura, momentet kur trupat transportohen me ambulancë

Rëndohet bilanci i aksidentit tragjik që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin Fier-Vlorë, ku raportohet se kanë ndërruar jetë 4 persona të së njëjtës familje.

“Panorama” konfirmon se viktimat janë çifti i bashkëshortëve Eduart Gushi dhe Silvana Gushi, dhe dy vajzat e tyre të mitura Anastasia Gushi 14 vjeçe, dhe Eva Gushi, 9 vjeçe.

“Panorama” ka siguruar pamje nga aksidenti i rëndë, ku shfaqen momentet kur personat e plagosur transportohen me ambulancë.

Viktimat e së njëjtës familjeje kanë qenë në makinën tip “Toyota” me targa greke, e cila është përplasur fuqishëm nga pas nga një mjet tip “Audi”.

Dyshohet se shkak është bërë një parakalim i gabuar i mjetit “Audi”, që ka bërë që mjeti “Toyota” të humbasë kontrollin dhe të përfundojë në një kanal.

Ndërkohë në Spitalin e Vlorës ndodhen 3 tre shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”, Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.

Siç mund të shihet nga këto pamje makina “Toyota” është shkatërruar plotësisht, ndërkohë që dëme më të lehta ka marrë “Audi”.

Si pasojë e përplasjes është shkatërruar edhe një shtyllë e tensionit të lartë, dhe ekipet e OSHEE-së po punojnë në terren.

Njoftimi i plotë

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ju bëjmë me dije se:

Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin “Toyota”, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe.

Ndërkohë, në spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin “Audi”, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit.