“Nuk jam dakord me mbylljen e njerëzve”, mjeku Apostol Vaso flet mbi efektin e ilaçit Deksametason tek Covid-19

Mjeku Apostol Vaso është i ftuar në emisionin “Zonë e Lirë”. I specializuar për dhimbjen fantom, mjeku ka folur edhe mbi studimin që ka qarkulluar së fundmi se ilaçi “Deksametason” ul rrezikun e vdekjes së të infektuarve me koronavirus.
Mjeku ka treguar se ndryshe ky ilaç njihet si kortizoni. Ai ka thënë se ky medikament ka efekt. Gjithashtu, doktori ka thënë se nuk ka qenë dakord me karantinimin e njerëzve të shëndoshë nga Covid-19.
“Ky medikament është një preparat me të cilët ne jemi mësuar ta themi ndryshe kortizoni. Na kanë mbetur në mendje efektet anësore të Deksametason-it. Ka efekte spektakolare, shpeshherë në sëmundje të ndryshme të inflamacionit. Ky është një nga preparatet kryesore anti-inflamator. Përgjithësisht ne e përdorim këtë medikament në trauma, unë besoj që ka efekt tek koronavirusi. Pas nja dy-tre muajsh, pritet të dëgjojmë se ka dalë një ilaç më i mirë. Kjo tregon sa e paqartë dhe e pastabilizuar është shkenca mjekësore në përgjithësi. Nuk besoj qëndrimin e shoqërisë që mbahet ndaj koronavirusit. E konsideroj një çrregullim të sjelljes sociale, është i papërshtatshëm komplet. Ne viroza kemi gjithë kohës, mbylljen nuk e pranoj. Mbyllen të sëmurët, jo të shëndoshët, për mua, mund ta kem gabim. Ky është qëndrimi im. Unë nuk jam dakord me mbylljen e të shëndetshmëve”, tha mjeku.