Noizy pjesë e kinemasë! Reperi do të luajë në serialin gjerman krah Blerim Destanit

Pas rolit që pati në një film gjerman vite më parë, Noizy tashmë do jetë pjesë e një seriali.

Edhe këtë herë reperi do luajë krah aktori të njohur shqiptar Blerim Destani e jo vetëm. Pjesë e tij do jetë edhe Xhevdet Jashari. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Noizy, emri i vërtetë i të cilit është Rigels Rajku. Ai ka ndarë në rrjetet sociale foto nga sheshxhirimi teksa në njërën prej tyre ka shkruar: “Dita e xhirimeve, seriali ‘Der Trakt’”.

Deri tani nuk ka ende detaje se për çfarë bën fjalë seriali dhe çfarë roli do ketë Noizy aty. Ai ka marrë pjesë edhe në filmin me titullin “Man from Beirut” ose “Blind”, të 2019. Në këtë film Noizy ka një rol dytësor dhe në pjesën më të madhe të skenave ai shfaqet përkrah aktorit gjerman Frederick Lau. Ndërsa Blerim Destani dhe aktori tjetër me origjinë shqiptare, James Biberi, kanë rol kryesor në film.

Në të flitet edhe në gjuhën shqipe teksa kuriozë jemi të dimë nëse do ndodhë e njëjta gjë edhe në serialin ku po merr pjesë artisti.

Ky njoftim vjen pasi Noizy zbuloi se do organizojë një koncert në gusht, që ai e ka cilësuar si ‘koncertin më të madh në historinë e hip-hopit shqiptar”. Në një postim në rrjetet sociale, Noizy shkruan se pjesë e tij do jenë edhe reperë gjermanë, italianë, anglezë teksa mbrëmja do mbyllet me OTR.