Një femër nuk e ndal askush! Olimpistja punoi në market që të mblidhte para për Tokio 2020

Olimpistja australiane Riley Day shkoi në “Tokyo 2020” duke mos pasë asnjë sponsor të madh për t’ia mbuluar pagat e trajnerëve dhe shpenzimet e tjera që të gjithë atletët i kanë kur duan që të garojnë.

Ajo punoi në Woolworths për tre vjet, derisa ruajti krejt pagat e saj për ta financuar kampanjën në Lojërat Olimpike. Atletja Riley Day e theu rekordin e saj personal dhe tani rezultati i saj më i mirë personal është 22.56 sekonda.

Ajo nuk mundi ta përmbajë veten pas garës derisa po jepte një intervistë për Channel 7.

“Ishte një garë shumë më e mirë sesa këtë mëngjes. Shpresoj se ky ishte vrapimi më i shpejtë në mënyrë që unë të mund të jem në finale. Kjo është e mrekullueshme”, tha ajo, transmeton Klankosova.tv.

Atletja, që besohet se do të jetë shumë e suksesshme në të ardhmen, tani është numri tetë në Australi, por thotë se është akoma duke u përpjekur që të jetë numri një.

“Unë dua të jem më e mira dhe do të ndalem vetëm kur të jem më e mira”, deklaroi ajo.

Vendi i saj i punës, marketi ku ajo ka punuar, ka postuar një mesazh për ish-punëtoren e tyre që ishte pjesë e Lojërave Olimpike “Tokyo 2020” duke thënë se janë krenarë me të.