Nga planet për dasmë deri tek kuptimi i emrit të vajzës, Fero shuan kuriozitetin e të gjithëve në intervistën e parë si baba

Arbenita Ismajli dhe Fero u bënë prindër në një moshë relativisht të re, duke mirëpritur në jetë një vajzë, të cilën e pagëzuan me emrin Nina.

Ndonëse janë një ndër çiftet më të komentuara të showbizz-it aktualisht, dyshja nuk ka folur për shumë detaje në marrëdhënien e tyre.

Ditën e djeshme, teksa ishte i ftuar tek “Rudina”, Fero pranoi se mes tyre ka pasur edhe krisje, por sipas tij kjo është një gjë normale mes çdo çifti, sidomos kur duhen.

“Nuk mendoj që ka çift në botë që nuk zihet të paktën një herë dhe ka ndodhur ndonjë zënkë ndonjëherë, por gjithnjë kemi qenë bashkë… Ka ndodhur që jemi mërzitur 3-4 orë, s’kemi folur, por prapë jemi pajtuar,”– tregoi reperi për raportin e tij me modelen e njohur.

Gjatë bisedës, Fero zbuloi se ishte mahnitur aq shumë kur e kishte parë Arbenitën për herë të parë në Shkup, sa nuk kishte pasur guximin të dilte nga makina e t’i fliste.

“Po, e mbaj mend momentin e parë, në Shkup. Unë isha në makinë dhe po e prisja, kur e pashë, aq shumë u habita duke e parë, sa mbeta brenda në makinë, as nuk dola që t’i flisja herën e parë që jemi takuar. Këtë e ke ekskluzive vetëm për ty.

Nuk ishte rastësisht, kemi kontaktuar kohë më parë në rrjetet sociale. E kam njohur në rrjetet sociale, më pas kemi dalë, jemi takuar dhe s’jemi ndarë më”– tha artisti.

I pyetur nëse është xheloz për Arbenitën, Fero tha se ajo nuk i lë shkas për t’u bërë xheloz, por ajo vetë është natyrë tejet xheloze për të, pjesërisht edhe prej fanseve të shumta femra të Feros.

Në planet e çiftit është edhe një dasmë, e cila për shkak të situatës së pandemisë ka qenë e pamundur, prandaj janë mjaftuar me celebrimin.

Ndërsa në lidhje me emrin e vajzës, Nina, Fero tha se e përzgjodhën këtë emër pasi ka kuptimin “e këndshme”.

“Kemi qenë me Arbenitën duke parë emra dhe na ka pëlqyer të dyve. S’po them as ia ka vënë Arbenita, as unë, por ia kemi vënë bashkë Nina. Po, edhe kuptimin e ka ‘e këndshmja’. Nina do të thotë ‘e këndshme’”,– tregoi Fero.