Ndahet nga jeta në moshën 70-vjeçare filologu dhe historiani i njohur, Jorgji Qirjako

U nda nga jeta në moshën 70-vjeçare filologu, historiani dhe përkthyesi i më shumë se 70 veprave Jorgji Qirjako.

Mësohet se ai mbylli sytë sot në Londër pas një sëmundje të rëndë.

Gjatë jetës së tij ka kryer shumë detyra si Drejtori Shtëpisë së Kulturës Kolonjë, Drejtor i Muzeut Kolonjë dhe se fundi si zëvendësdrejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare etj.

Në shkurt të këtij viti ai u dekorua nga Presidenti Ilir Meta me Titullin “Mjeshtër i Madh” .

Qirjako ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, veçanërisht në organizimin e Muzeut Historik të Kolonjës, duke e bërë atë një nga muzetë më të pasur me objekte arkeologjike, që nga lashtësia dhe me mjaft vepra të artistëve të njohur, si Odise Paskali, Janaq Paço, Thoma Thomai, Llazar Nikolla, Guri Madhi, Agim Nebiu e shumë të tjerë.

Po ashtu, Muzeu i Kulturës Popullore, Muzeu i Arsimit në Rrethin e Kolonjës, si edhe Muzeu i Borovës kanë si hartues projekti zotin Qirjaqi, i cili, njëkohësisht, ka nxitur dhe mbështetur shumë artistë të shquar të vendit, të ngrenë shumë vepra përkujtimore në rrethin e Kolonjës.

Qirjako ka një meritë të veçantë në evidentimin e traditave patriotike të kulturës popullore, si edhe të figurave të shquara të historisë sonë kombëtare, nëpërmjet studimeve të ndryshme, organizimit të sesioneve shkencore dhe si autor i disa botimeve monografike.

Njëkohësisht, Jorgji Qirjako ka një kontribut shumë të madh, si në themelimin e Bibliotekës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe të Historisë të Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, po ashtu edhe në fushën e përkthimit.